E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardhja e fundit të pushimeve, Durrësi pushtohet nga udhëtarët. Në 24 orët e fundit drejt italisë 16 mijë veta

Më shumë se 16 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrant shqiptarë, janë nisur me tragete në 24 orët e fundit nga porti i Durrësit drejt porteve italiane, duke shënuar fluksin më të madh të rikthimit të bashkëatdhetarëve drejt vendeve të Evropës pas pushimeve verore në atdhe. Drejtori i Policisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Naim Manuka tha sot se "nga ora 19.00 e ditës së dielë deri në orën 06.30 të ditës së sotme janë nisur drejt porteve të Barit 9 tragete dhe katamaranë, ndërsa dy të tjerë drejt Ankonës dhe Triestes". Trageti “Santa Maria” kreu një lundrim shtesë në shërbim të udhëtarëve, duke e çuar në 11 numrin e trageteve të përpunuara vetëm natën e kaluar. Sipas Manukës, dje u krijuan vështirësi për shkak të udhëtarëve që nuk kishin prenotuar bileta vajtje-ardhje nga Italia, në fillim të pushimeve verore. "Gjatë gjithë natës së kaluar 22 sportele të policisë kufitare në bashkëpunim me kapitenerinë e portit, agjencitë e lundrimeve dhe autoritetin doganor regjistruan në dalje nga porti i Durrësit  16.203 udhëtarë vendas dhe të huaj si dhe 3.619 automjete gjithsej", tha Manuka. Sipas tij, vetëm gjatë tre ditëve të fundit numri i udhëtarëve të larguar me tragete arrin në 38 mijë. "Që nga fillimi i muajit korrik në kalatat e portit detar kanë mbërritur 222.134 udhëtarë me 53.969 automjete, ndërsa deri tani janë larguar nga i njejti port 187.684 udhëtarë me 42.355 automjete", shtoi Manuka. Gjatë dy muajve të fundit janë përpunuar 47.869 udhëtarë dhe 15.390 automjete më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar në portin detar të Durrësit. Largimi me tragete i udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj pas pushimeve verore pritet të vazhdojë deri në mesin e muajit shtator.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›