Jepen në Vlorë tre çmime të para në takimin kombatër të monodramës
Ndryshe nga çdo konkurrim, në takimin e parë kombëtar të Monodramës që u zhvillua në qytetin e Vlorës u dhanë tre çmime të para. Dhimitër Orgocka me “Amok” të Stefan Cvajg, Hajrie Rondo me “Klithma e një nëne të marrë” e Odise Plakut dhe Ilirjan Ali me “Ditari i një të çmenduri” i Gogol, u shpallën dje në mbrëmje fitues të vendit të parë të këtij takimi, në të cilin morën pjesë në konkurrim 6 aktorë nga Vlora, Fieri, Korça, Greqia, Kosova. Juria e përbërë nga aktorët e njohur, Margarita Xhepa, Birçe Hasko dhe Miho Gjini, kritik arti, akordoi tre çmime, për shkak se sikundër u shpreh aktorja Margarita Xhepa, "niveli i intepretimit të aktorëve ishte i lartë dhe konkurrenca shumë e fortë, aq sa ishte e vështirë të shpallej një fitues i vetëm". Dhimitër Orgocka e cilësoi aktivitetin si një dëshmi të përpjekjeve që po bëhen për të zhvilluar artin skenik dhe vetë gjininë e monodramës në vendin tonë. Në natën e tretë të takimit u shfaq edhe monodrama “Ndyrësira”, me autor Robert Shnajder, intepretuar nga Lefter Simoni, i Teatrit “Bohemët” në Athinë, që u vlerësua mjaft për nivelin e lartë të aktrimit. Takimi Kombëtar i Monodramës u zhvillua gjatë tre netëve në sallën e Teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës. Gjatë diskutimeve, takimi u vlerësua si një aktivitet me vlerë për promovimin e arritjeve të artit skenik në Shqipëri. Pjesëmarësit në këto diskutime shtruan nevojën e institucionalizimit në funksion të vazhdimësisë së tij. Kritikë dhe artdashës veçuan vlerat e përcjella përmes interpretimit të aktorëve Dhimitër Orgocka, Ilirjan Aliu, Sheqerie Buçaj, Hajrie Rondo, Lefter Simoni e Andrea Pepi, në pjesët “Amoku”, “Ditari i një të çmenduri”, “Shumë urime për ty”, “Klithma e një nëne të marrë”. “Ndyrësira” e “Siriusi”, me regji respektivisht nga Dhimitër Orgocka, Luftar Veshi, Burbuqe Berisha, Mehmet Xhelili, Lefter Simoni e Llazi Serbo. Ky aktivitet synon të pasurojë jetën kulturore artistike në Vlorë në sezonin e verës, duke e shndërruar atë për tre ditë më rradhë, në kryeqendrën e artit skenik në vend.
...