Ardian Klosi përcillet për në banesën e fundit

Publicisti i njohur Ardian Klosi
UPDATE- Për më shumë se dy orë miq, të afërm dhe kolegë kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të publicistit, Ardian Klosi, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Mes duartrokitjesh trupi i tij i pajetë është nisur drejt varrezave të Sharrës ku do të prehet përgjithmonë.
Homazhet kane nisur rreth ores 12:00.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama njohur edhe si një nga miqtë më të afërt të Klosit, ka qëndruar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare që prej fillimit të homazheve, duke pritur dhe përcjellë miq, të afërm dhe kolegë të të ndjeri. Rama ka qëndruar deri ne minutat e fundit para arkivolit me trupin e pajetë, para se kortezhi te merrte rrugen per ne varrezat e Sharrës.
Në përfundim të homazhe, kreu PDS-së, Paskal Milo vlerësoi lart figurën e publicistit Ardian Klosi.
Jam këtu për të shprehur atë dhimbje intelektuale për humbjen e një vlere të shquar kombëtare. Nga kjo botë ikin mjaft njerëz të cilët nuk i manifestojnë vlerat e tyre të vërteta, sepse janë njerëz të thjeshtë, që kërkojnë të rrojnë në botën e tyre shpirtërore dhe intelektuale që kanë. Dhe Ardiani ishte një vlerë e madhe shpirtërore, pa patur ambicien që të ekspozonte këto vlera. Ai do të rrojë në kujtesën tonë si një nga korifejtë e intelektualizmit shqiptarë.- tha Milo.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama tha se Klosi do të mbahet mend si shembulli i qytetarit të këtij vendi. Ai u shpreh se Klosi ishte referencë për vlerat morale dhe qytetare.
Le të jetë i lehtë dheu i tokës ku do të prehet Klosi- tha Rama.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, i cili ka organizuar edhe homazhet për nder të publicistit, Ardian Klosi tha se krahas mungesës së tij, do të ndihet edhe mungesa e modelit të tij.
Kemi humbur një kritik të madh, kultura shqiptare, shoqëria shqiptare në një kohë kur ankohemi që në shumë fusha nuk kemi kritikë. Shqisa e tij e humorit, e ironisë do ti mungojë shoqërisë shqiptare. Ai ishte një model për tu ndjekur edhe nga më të rinjtë, në kulturë, shoqëri , në angazhimin e shoqërisë civile dhe në të gjitha fushat.- tha Plasari.
Homazhe pritet të bëjnë personalitete te ndryshme te vendit. Ndersa jane te shumte miqte dhe familjaret qe po nderojne te ndjerin Ardian Klosi.
Numri i sotëm i gazetës Panorama mund të konsiderohet një numër special dedikuar ikjes së parakohshme nga jeta të përkthyesit, publicistit e shkrimtarit, Ardian Klosi.
Gazeta sjell sot mesazhin e plotë të zbardhur nga policia e Tiranës, që i ndjeri Klosi i ka nisur bashkëshortes së tij para se ai të vetëvritej.
Kaluam shumë bukur. Unë nuk mund të vazhdoj më….- janë disa nga fjalët e mesazhit të të ndjeri Klosi.
Numri i sotëm i Panoramës sjell edhe fjalët e miqve dhe kolegëve të tij, Spartak Ngjela, Aurel Plasari, Pirro Misha, Arben Kumbaro, Preç Zogaj, Blendi Fevziu, Andi Bushati, Sokol Balla, Artan Shkreli, Filip Çakuli, Baton Haxhiu, Mero Baze dhe Remzi Lani.
Homazhet për publicistin Klosi do të bëhen përgjatë ditës së sotme në banesën e familjes që ndodhet në rrugën “Prokop Myzeqari”.