Ardian Klosi zbardh katastrofën e Gërdecit
Dje, në mjediset e reja të Fondacionit Soros në kryeqytet, publicisti Ardian Klosi ka promovuar librin e tij më të fundit “Katastrofa e Gërdecit”. Siç pohon autori Klosi, kjo vepër është frut i një pune të gjatë të tij mbi ngjarjen e Gërdecit, rrethanat dhe ngjarjet e tjera që i paraprinë. Libri përmban dokumentacion të pasur, referenca arshivore, mediatike dhe fotografi me personazhet e prekura nga tragjedia e Gërdecit.
Kemi të bëjmë me një vepër, e cila kërkon ta vështrojë ngjarjen e Gërdecit, të pandarë nga skenat dhe prapaskenat e saj. Libri sjell gjithashtu, edhe dëshmi nga familjet e viktimave. Duke qenë se autori nuk e sheh veten në rolin e investigatorit privat që hyn tinës natën nga dritarja e ballkonit në vilën e krimit, pasi që ditën kanë hyrë zyrtarisht nga porta e saj agjentët e policisë, ai nuk shpall ndonjë meritë të veçantë për zbulimin e një dokumenti të bujshëm apo marrjen e ndonjë deklarate bombë. Klosi ka marrë dhe analizon me qindra pohime, dëshmi dhe dokumenta mbi aferat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë shqiptare me armatimet dhe municonet. Kështu ndërtohet tabloja e një prej aferave më të mëdha korruptive të shtetit shqiptar në dy dekadat e fundit, që pati një kosto të madhe, e veç të tjerash, solli humbjen tragjike të 26 jetëve; fëmijë, gra, burra e pleq.
8 Maj 2009