E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozita/ “Bisedë me tingujt e Mesdheut”



Më 11 maj, Stefos, (pseudonimi i piktorit Stefan Taçi) do të inagurojë në Art Galeri Kledio në kryeqytet ekspozitën e tij të radhës e titulluar “Bisedë me tingujt e Mesdheut”. Ja sesi do të shprehej vetë piktori, mbi frymëzimin e tij gjatë kohës së krijimit të veprave që janë pjesë e këtij cikli: “Ka ca kohë që Poseidoni, vëllai i Zeusit e zot i detrave, më pëshpëriste në vesh për një dëshirë të vjetër. Nëse unë pranoja, gjithçka e ekspozuar me këtë rast do të ishte nën kujdesin e tij. Natyrisht pranova, sepse kur njeriu gjëndet ligsht e i duket se po asfiksohet, kur ndjen se është diçka më shumë se qënie lokale, atëherë ndoshta na duhet ndihma e perëndive për t'u ngritur më lart e për të parë më larg. Sa më shumë hedh vështrimin mbi Mesdhe, mëndja ndriçohet e shpirti etjen shuan më lehtë. Pak rëndësi ka nëse e sheh realisht, në libra, muzikë apo imazh.
Mesdheu është thellë brënda meje, edhe kur mundohem ta harroj pak, ai ngre krye. Ky vend me emrin aq kuptimplotë, Mesi i Dheut, është jo vetëm djepi i mesdhetarëve, por besoj e guxoj të them edhe i mbarë civilizimit botëror. Dikush tjetër mund të ketë mendim të kundërt, por te mos ndalemi këtu, nuk është ky qëllimi i ekspozitës. Ka qenë pasioni im i hershëm, biseda me dritën, ajrin e jehonat e së shkuarës e të së tashmes që vinë nga
Mesdheu. Jam munduar t'i kuptoj e t'i bëj pjesë të krijimtarisë sime, ku, kohë pas kohe janë reflektuar perceptime vizuale të cilat, ose ndërtohen mbi asosacionet e fuqishme që ofron kultura e Mesdheut, ose janë rrjedhojë e meditimeve të gjata e kontaktit real me të. Ndoshta më shumë se sa në konkretësinë e saktësinë e subjekteve, kam preferuar të mbështetem në strukturat shpirtërore me bazë tingëllimin koloristik e kompozimin polisemik, pa harruar rrezikun nga grackat e monotonisë. Me Poseidonin folëm edhe për çështje të tjera. E pyeta për krizën ekonomike botërore,
për makutërinë e pafund për pushtet e pasuri, për ngrohjen globale, për mundësinë e jetës gjetkë në hapësirën kozmike, për lumturinë boshe të konsumizmit, për liritë e të drejtat njerëzore gjithmonë të rrezikuara, për rolin e artit e kush janë fuqitë e tij reale. Në pritje të përgjigjes vura re se isha vetëm, ulur diku në një kafe të Tiranës. Ishte pasdite me shi, por jo për faj të Poseidonit. Ndoshta e tërë kjo bisedë ishte një iluzion...”

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›