Ish-kryeministri Çeku dëbohet nga Kolumbia
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, bëri të ditur se është larguar nga Kolumbia, pas një urdhëri nga autoritetet e këtij vendi, meqë kërkohej nga Serbia i akuzuar për krime të luftës.
“Autoritetet e Kolumbisë kishin marrë një kërkesë nga Serbia, për arrestimin tim dhe për të më dorëzuar në Serbi”,- i tha Agim Çeku agjencisë Reuters. Sipas tij, “ky ishte një urdhër arresti jolegjitim” dhe shtoi se “jam vërtet i befasuar që Interpoli ende merret me këtë gjë kur e dinë se Serbia nuk ka autoritet ndaj qytetarëve të Kosovës”. Zoti Çeku ishte në Kolumbi më 3 maj, për të marrë pjesë në një seminar ndërkombëtar për demobilizim dhe çarmatim. “Mora urdhër të shkruar që të largohen nga Kolumbia” tha Çeku dhe njoftoi se “nuk do të mund të shkojë në këtë vend për 10 vitet e ardhshme”.
Jeremiç në Shkup: “Do të thellojmë bashkëpunimin”
Edhe pse Maqedonia dhe Serbia kanë qëndrim të ndryshëm për çështjen e statusit të Kosovës, kjo nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat duhet të fokusohen në qëllimet e përbashkëta. Kështu deklaruanpas takimit në Shkup shefat e diplomacive të dy vendeve Antonio Milloshovski dhe Vuk Jeremiç. “Nuk është fshehtësi se kemi dallime në çështje të caktuara, por qëllimet e përbashkëta janë shumë më të mëdha nga dallimet që kemi në marrëdhëniet bilaterale”,- tha Milloshoski. Edhe Jeremiç konfirmoi se nuk ka asnjë afërsi të qëndrimeve për çështjen e Kosovës, por ajo në asnjë rast nuk do t’i pengojë Maqedoninë dhe Serbinë së bashku të punojnë në realizimin e qëllimeve të përbashkëta. “Viti i kaluar nuk ishte i lehtë. U hap çështja e vetme serioze e pazgjidhur. Beogradi dhe Shkupi nuk kanë pasqyrë të njëjtë në statusin e ardhshëm të Kosovës. Por, në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve duhet të fokusohemi në atë që na bashkon, e jo në atë që na ndan”, ka theksuar ministri serb i Punëve të Jashtme.
8 Maj 2009