Pogradeci prezanton “Europa Boulevard” në Bruksel
Qyteti i Pogradecit dhe e ardhmja e tij europiane janë prezantuar në parlamentin europian në Bruksel. Delegacioni që përbëhej nga kryetari i bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi si dhe antarë të tjerë të kabinetit të tij, bashkë me piktorin shqiptaro-austriak Fatmir Velaj dhe analistin Henri Çili, janë pritur nga zv.kryetari i Komisionit për Europën Juglindore Hannes Swoboda, i cili me këtë rast u dha edhe një drekë miqve nga Shqipëria. Sipas piktorit Velaj, iniciator i këtij projekti, eurodeputetë nga vende të ndryshme kanë shfaqur interes për ta mbështetur projektin më të ri artistik e kulturor që do të zhvillohet në “qytetin e poetëve”, ku lindën dhe krijuan perlat e tyre Lasgushi, Kuteli etj. Siç tregon Velaj për gazetën “Albania”, delegacioni nga Pogradeci u prit në takim të veçantë edhe nga eurodeputeti italian, Bruno Marasa, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Vendet e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme. Gjithashut, interes ka shfaqur edhe eurodeputeti hungarez Tabahdi Csaba, deputetja e Gjermanisë Gisela Kallenbach etj. Qëllimi i këtij prezantimi në Bruksel ishte projekti që Bashkia, në bashkëpunim me Forum Weltoffen International me qendër në Vjenë, janë duke zbatuar. “100 hapa drejt Europës“ quhet ky projekt, i cili ka për qëllim të paraqesë historinë, rrugën, shpresat dhe perspektivat e kontinentit tonë. “Projekti ka për qëllim të paraqesë historinë e përbashkët europiane, ta vendosë atë thellë në ndërgjegjen e popullsisë, në veçanti të rinisë, dhe mbi të gjitha, të paraqesë specifikat e çdo identiteti në një kuadër më të përgjithshëm pluralist, europian.” – thotë Velaj. Në një nga rrugët e qytetit të Pogradecit do të ndërtohet “Europa Boulevard”. Aty do të instalohen 4 vepra arti, ndërkohë që në mermer do të shkruhen emrat e 100 personaliteteve më të ndritura të historisë së kontinentit, duke nisur që nga antikiteti e deri më sot. Dhe, ky inagurim është lënë për datën 20 qershor.
8 Maj 2009