E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardian Marashi: Nëse nuk ndryshon skema e financimit, QSA rrezikon të kthehet në një institucion të rëndomtë

Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike flet mbi problematikën që haset në realizimin e projekteve shkencore


Qendra e Studimeve Albanologjike, prej shkurtit të vitit 2008 ka përfshirë institutet e shkencave albanologjike, histori, gjuhë e letërsi, etnografinë si dhe arkeologjinë. E ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë projekte, por edhe ato që janë realizuar kanë hasur

shumë pengesa deri më tani. Sipas drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi flitet për shumë projekte, por thelbi i këtyre qëndron tek sigurimi i një bashkëpunimi cilësor dhe të efektshëm me të gjithë aktorët e mundshëm, sidomos të fushës shkencore dhe akademike. Sipas drejtorit Marashi, synimi nuk është që QSA të punojë e izoluar në akademizmin e saj, por të jetë motorri i një jete shkencore aktive, që bashkërendon në mënyrë sinergjike forcat dhe vullnetet e afta për bashkëpunim. Më tej në vijim të kësaj interviste dhënë për gazetën, drejtori i QSA pohon se nëse duam që të kemi një qendër kërkimore të denjë për këtë emër, duhet jo vetëm që ajo të financohet me projekte ambicioze, për të marrë prej saj një vlerë të shtuar, por edhe që ti besohet asaj financimi i projekteve në shkallë vendi për fushat albanologjike dhe vetëm në këtë mënyrë QSA mund të krijojë e të konsolidojë rrjetin e bashkëpunëtorëve të saj vendas e të huaj dhe të vihet në qendër të zhvillimeve mirëfilli shkencore. Sipas drejtorit Marshi, fatkeqësisht nuk është ndjekur kjo rrugë. QSA jo vetëm që nuk financon projekte dhe bashkëpunime, por nuk ka as buxhet të dedikuar të sajin për kërkimin shkencor. Më tej ai tregon se nëse skema e financimit nuk ndryshon, QSA do përfundojë në një qendër të rëndomtë ndëruniversitare.

- Jemi në muajin prill të këtij viti, çfarë mund të na thoni për zhvillimet në QSA?
Këtë vit Qendra e Studimeve Albanologjike shënoi dyvjetorin e saj. Është e drejtë të pyetet se çfarë zhvillimesh po sjell ajo në jetën shkencore të vendit. Së pari, është rasti të theksojmë dinamikën e re që ka krijuar QSA në kërkimin shkencor kombëtar, duke u pozicionuar si aktor kryesor në prodhimin dhe në promovimin e vlerave shkencore. Këtij misioni i kanë shërbyer në mënyrë të veçantë dy veprimtari të rëndësishme, të cilat janë konceptuar për të krijuar një traditë të re përgjegjësie dhe pune: organizimi në tre ditë i edicionit të parë të Çmimit të Albanologjisë, në dhjetor 2008, dhe i edicionit të parë të Ditëve të Albanologjisë, në dhjetor 2009. Ndërsa veprimtaria e dytë do të jetë e përvitshme, me synimin për të nxitur kompetencat realizuese shumëplanëshe të stafit shkencor të QSA, e para do të organizohet çdo pesë vjet, me qëllim për të krijuar dhe nxitur klimën e domosdoshme të konkurrencës së vlerave edhe në shkencat albanologjike. Së dyti, detyrimi ynë ka qenë që kjo dinamikë të mos mbetet e rastësishme apo anësore, por të vendoset në qendër të jetës së institucionit. Kështu, me hapjen për herë të parë të pesë shkollave të Masterit dhe pesë shkollave të Doktoraturës, ku formohet një pakicë cilësore kërkuesish, QSA ka fituar sfidën e parë të madhe të saj: tashmë punonjësit e Instituteve nuk qëmtojnë vetëm shkencë të vjetër në zyra të izoluara, siç vepronin në epokën e varësisë nga kupola e Akademisë së Shkencave, por formojnë shkencëtarët e së ardhmes, çka i detyron të përballen me arritjet më të reja në fushat dhe specialitetet përkatëse. Në fakt, një ndër detyrimet kontraktuale të punonjësve shkencorë të Instituteve, miratuar së fundi nga Këshilli i Profesorëve i QSA, është mbajtja nga secili sish e një konference shkencore vjetore, rreth një orë e gjysmë, mbi një çështje që lidhet me zhvillimet më të fundit teorike në specialitetin e ngushtë të kërkimit individual. Kjo frymë e re nuk ka për qëllim që të krijojë presion të panevojshëm mbi punonjësit, por tu japë këtyre mundësi të dëshmojnë vlerat e veta të mirëqena, të rrisë autoritetin e tyre dhe të punës së tyre. Së fundi, rritja e përgjegjësisë për punën dhe vlerësimi shkencor i arritjeve të gjithsecilit, janë jo vetëm në dobi të punës, po edhe të vetë punonjësve, të cilët në këtë mënyrë aftësohen për kualifikimin vetjak. Aktualisht, më shumë se një e katërta e punonjësve të QSA kanë titullin Akademik dhe Profesor, ndërkohë që synimi ynë i shpallur është që brenda dy viteve të ardhshme të gjithë punonjësit shkencorë të departamenteve të kenë fituar minimalisht gradën shkencore Doktor.

- E ndërkohë sa i takon projekteve, ku janë më shumë të përqendruar ato?
Puna shkencore në QSA ka tri përmasa të qenësishme. E para dhe më e qëndrueshmja ka të bëjë me punën kërkimore individuale: secili punonjës shkencor ka detyrime kontraktuale një deri shtatëvjeçare për të realizuar, si dhe veprimtari të rekomanduara në përputhje me shkallën e kualifikimit të tij shkencor. Është pikërisht kjo punë që ushqen revistat shkencore dhe garanton cilësinë e botimeve. Përmasa e dytë qëndron në organizimin e aktiviteteve shkencore, të tryezave të punës, të konsultave, të konferencave, të simpoziumeve dhe të përkujtimit të ngjarjeve e të figurave të rëndësishme. Thelbi i këtyre qëndron tek sigurimi i një bashkëpunimi cilësor dhe të efektshëm me të gjithë aktorët e mundshëm, sidomos të fushës shkencore dhe akademike. Synimi ynë nuk është që QSA të punojë e izoluar në akademizmin e saj, por të jetë motorri i një jete shkencore aktive, që bashkërendon në mënyrë sinergjike forcat dhe vullnetet e afta për bashkëpunim. Përmasa e tretë e punës shkencore është ajo që quhet punë me projekt, e cila lidhet me veprimtaritë në ekip, që zhvillohen nga grupe kërkimore të veçanta, disiplinore ose transversale, po edhe mbi bazë departamenti, Instituti ose Qendre. Kjo shënon zakonisht rezultatin më të lartë të punës shkencore, pasi shfrytëzon aftësitë dhe kompetencat e shumë specialistëve, në funksion të arritjes së një rezultati parësor me rëndësi për të tashmen dhe të ardhmen. Nga kjo kuptohet pse puna me projekte është njëkohësisht edhe më e kushtueshmja, meqenëse bashkon për një periudhë kohe relativisht të gjatë një numër të konsiderueshëm specialistësh, kërkuesish dhe forcash kërkimore ndihmëse. Shembulli më konkret i punës me projekte në QSA janë kërkimet arkeologjike, të cilat zgjasin nga tre vjet deri në disa dekada, dhe ku përfshihen kategori të ndryshme specialistësh e institucionesh, të vendit e të huaja.

- Meqë dolëm te arkeologjia, vjet pati shumë probleme me ekspeditat, këtë vit çfarë po bëhet në këtë drejtim?
Çdo organizim i ri shoqërohet gjithnjë me probleme, diku më të mëdha e diku jo dhe aq. Me arkeologjinë është ky problem i madh: realizimi i ekspeditave dhe i gërmimeve në mënyrë korrekte. Njëfarë zgjidhjeje është gjetur, por unë shpresoj që të jetë e përkohshme, derisa të arrihet zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme. Aktualisht, financimi i projekteve dhe i ekspeditave arkeologjike bëhet nga MASH, çka konsiston kryesisht në akordimin e një numri kontratash për angazhimin e punonjësve sezonalë kudo ku kryhen gërmime. Në fakt, sot bëhen gërmime më tepër nga çjanë mundësitë reale të arkeologjisë shqiptare: disa janë gërmime në vazhdimësi, por edhe mjaft të tjera imponohen nga vetë situata shumë e pasur arkeologjike e vendit. Jemi një vend ky kryqëzohen tri qytetërime antike, helen, romak e ilir, dhe ku mesjeta e hershme ka lënë gjurmë qytetëruese të shumta. Në këtë kuptim, arkeologjia shqiptare i ka borxh sa vendit të vet, aq edhe historisë së Mesdheut e të Europës. Është e rëndësishme të kuptohet se forcat shkencore që ne arrijmë të angazhojmë në arkeologji janë tepër të pamjaftueshme në raport me potencialin e madh burimor. Aq më tepër që tek ne turizmi kulturor ende ka mbetur në embrion. Është e vërtetë që MTKRS po i rishqyrton në kahun pozitiv politikat e saj kulturore dhe ato të zhvillimit të turizmit, mirëpo edhe këtu lipset të tregohemi shumë të kujdesshëm: jam i mendimit se duhet të bëjmë shumë kujdes lidhur me idenë e një zhvillimi agresiv të turizmit arkeologjik. Duhen formuar njëherë specialistë të mirëfilltë në arkeologji e në trashëgimi kulturore

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›