Zjarr në një banesë të braktisur, flakët rrezikojnë zonën muzeale
Gjirokastër Flakët e një zjarri të regjistruar mesditën e së dielës në qytetin e Gjirokastrës, kanë rrezikuar të përfshijnë dhe dëmtojnë godinat e gurta në zonën muzeale të qytetit. Zjarri fillimisht është shfaqur në një godinë të braktisur pranë Pazarit karakteristik, ndërkohë që flakët kanë rrezikuar të përhapen edhe në banesa të tjera karakteristike në afërsi të saj. Sipas dëshmitarëve okularë, rreth orës 11.45 ata kanë parë shtëllunga tymi që dilnin nga një shtëpi e braktisur, pranë zonën së Pazarit tradicional të Gjirokastrës. Të lajmëruara nga banorët efektivat zjarrfikës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Për gati 30 minuta ata kanë punuar për shuarjen e zjarrit, i cili kishte përfshirë banesën e braktisur dhe rrezikonte të shtrihej në zonën përreth. Sipas efektivave zjarrfikës, fillimisht zjarri ishte shfaqur në një grumbull mbeturinash në pjesën e brendshme të banesës dhe më pas ishte përhapur në të gjithë shtëpinë, në të cilën vitet e fundit nuk jetonte njeri. Gjatë kësaj vere të nxehtë banesat e gurta në qytetin e Gjirokastrës, të cilat prej vitesh janë braktisur nga pronarët e tyre, po kthehen në vatra zjarri problematike duke kërcënuar madje të përfshijnë edhe godinat e tjera që ndodhen pranë tyre. Përpara disa ditësh zjarrfikësit e Gjirokastrës ndërhynë për shuarjen e një zjarri në një tjetër godinë të braktisur në Pazarin e gurtë. B.SH.