E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur njeriu filloi “të punojë”?

Paleoantropologët amerikanë kanë zbuluar në Etiopi dëshminë më të vjetër të përdorimit të mjeteve nga guri. Eshtrat e vjetër 3.3 milionë vjet janë gjetur afër zonës arkeologjike Dikia, dhe në to shihen prerjet që duken sikur të ishin bërë me mjete që i ka krijuar dora e njeriut. Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 08:12

Po qe se del se këto dëshmi janë të sakta, kjo atëherë do të thoshte se përdorimi i mjeteve të gurit – si njëra nga karakteristikat kryesore të njerëzve – daton që nga periudha kur jetonin Australopithecinesët, që janë paraardhësit tanë me një tru relativisht të vogël.

Para këtij zbulimi, përdorimi më i hershëm i mjeteve nga guri është shënuar të ketë ndodhur para 2.6 milionë vitesh.

Përndryshe, në mesin e mbetjeve të zbuluara është edhe një asht kofshe, i prerë me mjete guri.

"Menjëherë mund të them se prerjet janë rezultat i përdorimit të mjeteve nga guri”, deklaroi Curtis Marean, nga Universiteti shtetëror në Arizona (SHBA).

Ndërkohë, edhe në një asht brinjësh mund të shihen mbetjet e asaj që duket të jetë një veprim i shkaktuar nga goditjet me çekan të gurit.

Disa prej ekspertëve ndërkaq ende dyshojnë se zbulimet kanë këtë domethënie.
Manuel Dominguez-Rodrigo, nga Universiteti Komlutense, në Madrid, është ekspert për fosilizimin e eshtrave. Sipas tij, gjurmë të ngjashme janë gjetur edhe në eshtrat që janë të vjetër rreth 6 milionë vjet, por ato i kanë lënë kafshët që ushqeheshin me eshtra, ose janë rezultat i kafshimeve të krokodilëve.

Eksperti nga Universiteti Illinois, Stanley Ambrose, konsideron se raporti “është i shpejtuar”, dhe se nevojiten ende hulumtime për të konstatuar se vërtet bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve nga guri.

Mirëpo, Maeran, nga ana tjetër, shpreson se dëshmitë e tjera shtesë do t’i gjejë në mbetjet e tjera.

"Ekzistojnë fragmente me vjetërsi të ngjashme, për të cilat besohet se ishin modifikuar përmes përdorimit të mjeteve të gurit, megjithëse disi hezitohej që të dilej me dëshmi të tilla para opinionit”, thekson ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›