Ardita, medalje Maqedonisë pas 40 viteve

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 7 maj – Ardita Iseni, karateistja shqiptare që mbron ngjyrat e reprezentacionit të Maqedonisë, ka shënuar sukses historik në Kampionatin e 43-të evropian të karatesë për seniorë, që po mbahet në Talin të Estonisë. Ajo ka fituar medaljen e bronztë në disiplinën Kumite, deri -60kg, dhe në këtë mënyrë i ka siguruar medaljen e parë Maqedonisë, pas plotë 40 viteve, në konkurrencë të femrave. "Jam shumë e lumtur që kam arritur një sukses të tillë. Gjatë karrierës sime kam fituar medalje të ndryshme, mirëpo këtë që e fitova në Talin është dicka e vecantë. Ju e dini se unë kam pasur një lëndim të lehtë dhe isha në dilemë, nëse do të garoj. Por, me që bëhej fjalë për një kampionat të rëndësishëm vendosa të marrë pjesë. Dhe, ja që vendosmëria ime është shpërblyer me fitimin e vendit të tretë", është shprehur reprezentuesja Iseni, në bisedën telefonike për "Lajm". E pyetur nëse ka pasur gjasa të luftojë edhe për titullin e kampionit ajo u përgjigj: "Natyrisht se dëshirë e cdo kujt është të fitojë vendin e parë, mirëpo edhe një herë po e përsërisë, unë kam qenë e lënduar dhe nuk ishte e sigurt, se nëse do të garojë. Në momentin e fundit kam vendosur që të luftojë dhe ia dola të zë vendin e tretë. Unë jam shumë e lumtur", ka shtuar Iseni, e cila në pesë mece të zhvilluara ka shënuar 4 fitore dhe një humbje. Përndryshe, delegacioni i përfaqësueses së Maqedonisë nga kampionati i 43-të evropian i karatesë për seniorë pritet të kthehet ditën e martë. Në Talin të Estonisë kanë marrë pjesë këto reprezentacione: Anglia, Kroacia, Spanja, Italia, Sllovakia, Turqia, BeH, Serbia, Rusia, Austria, Belgjika, Polonia, Azerbajxhani, Holanda, Maqedonia etj.
Fitueset në Kumite -60 kg:
1. C.Visente (Spanjë),
2. M. Sobi (Rusi)
3. P. Pecekova (Ceki)
4. A. Iseni (Maqedoni)