E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Tirana, Kupën për të kapur Europën

Tirana në finalen e 20-të. Vllaznia në të 12-n. 18 kupa së bashku: Tirana 13-herë fituese e Kupës, Vllaznia 5-herë. Tirana 6 finale të humbura, Vllaznia 7. Katër finale të luajtura midis tyre: të gjitha të fituara nga bardheblutë. Shifra që flasin për dominim e klubit kryeqytetas. Por, gjithsesi, Vllaznia është e bindur se në Elbasan, atje ku do të luhet edhe finalja e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë, do të fitojë ajo. Aq më tepër, që pas refuzimit nga ana e gjyqtarit cek Ljubos Mishel, do të gjykojë gjermani Babat Rafati. Fushaj ka pasur dikur një trajner gjerman te Vllaznia, Urlih Shulse dhe Uliks Kotrri është një shkodran me nënshtetësi edhe gjermane.
21 VJET PRITJE – Në pesë ballafaqimet në finale me Tiranën (ajo e vitit 1979 është zhvilluar me dy takime), Vllaznia ka dështuar plotësisht. Skuadra shkodrane trofeun e parë e ka fituar ndaj Skënderbeut në vitin 1965 dhe të fundit (te pestin) ndaj Flamurtarit, 22 vjet më pas në vitin 1987. Edhe pse ka pasur disa herë rastin ta fitojë Kupën e Shqipërisë (finalja e fundit e luajtur në vitin 2006), skuadra shkodrane pret prej 21 vjetësh të fitojë një Kupë të Shqipërisë, kur kundërshtari i saj i radhës, Tirana, Kupën e fundit e ka fituar në vitin 2006, pikërisht kundër Vllaznisë. Bardheblutë, fituan 1-0; eurogol nga goditja e lirë e Duros në të 65', në finalen e zhvilluar Lushnjë. Takimi u gjykua nga një treshe arbitrash italianë me kryesor Stefano Farina.
20 HERË - Tirana arriti për herë të 20-të në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku ka fituar deri tani në 19 të zhvilluarat vetëm 13 prej tyre (6 të humbura). Eliminoi në gjysmëfinale Elbasanin, në stadiumin e të cilit do të luhet edhe finalja. Logjika pranon se "ultrasit" verdheblu në "Ruzhdi Bizhuta" do të bëjnë tifo për Vllazninë (10 autobusë falas nga Fushaj për tifozët shkodranë). Sfida finale mund të zgjasë 90 minuta, e në rast barazimi 120 minuta (e më pas penalltitë), por në ndeshjen e fundit midis tyre në kampionat, Tirana fitoi thellësisht 5-1 përballë një Vllaznie të varfër në "Selman Stërmasi". Nëse Sinani mungon te Vllaznia, te Tirana, elbasanasi Klodian Duro, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i ish-kampioneve, është i etur. Duro ka shënuar tre gola gjatë këtij edicioni në Kupën e Shqipërisë dhe të tre në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Elbasanit. Është i bindur se mund ta përsërisë këtë në finale. Mesfushori i Kombëtares është edhe autori i golit të vetëm në finalen e fundit midis dy ekipeve, të zhvilluar në Lushnjë.
40 MIJË EURO - Presidenti Valter Fushaj vazhdon një traditë financiare. Premtoi një dhuratë të shtrenjtë. Një zarf me 40 mijë euro. Për të nxitur skuadrën. Për të bërë të pamundurën për të sjellë në Shkodër pas Kupën e Shqipërisë, që i mungon prej 21 vjetësh. Kapiteni i Vllaznisë, Armir Grima, pranoi se shanset në tavolinë janë 50 me 50. Por, kuqebluve u mungon të mërkurën golashënuesi më i mirë i kampionatit, Vioresin Sinani. "Këpuca e artë" e sezonit të kaluar do ta ndjekë nga TV, me shpresë së shokët e tij do të arrijnë ta fitojnë trofeun e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri. Që të con direkt në Kupën UEFA. Që justifikon shpenzimet e shtrenjta, por dhe që sjell përfitim financiare. Për herë të fundit në Europë, Vllaznia luajti në Kupën Intertoto vitin e kaluar. Kaloi një tur kundër kroatëve të NK Zagreb dhe u eliminua me turp nga turqit e Trabszonspor.

DREJT FINALES

TIRANA
Rruga që përshkoi 20-herë finalistja ishte thuajse e lehtë. Në turin e parë eliminoi Butrintin e Sarandës (2-2, 4-2), në të dytin Lacin (1-1, 3-1), në cerekfinale Kastriotin (1-1, 3-0) dhe në gjysmëfinale Elbasanin (3-0, 1-3).

VLLAZNIA
Rruga e skuadrës shkodrane drejt finales nisi me eliminimin në turin e parë të Naftëtarit (3-2, 6-1), në turin e dytë të Besëlidhjes (1-0, 0-0), Besës në turin cerekfinal (2-2, 5-1) dhe Dinamos në gjysmëfinale (4-0, 3-0).

PESË FINALET
1979: Tirana-Vllaznia 5-3, 2-1
1986: Tirana-Vllaznia 3-1
1999: Tirana-Vllaznia 0-0 (3-0 me penallti)
2006: Tirana-Vllaznia 1-0
2008: Vllaznia-Tirana, sot

DOMINIM BARDHEBLU

Dy ekipet më të vjetra, të cilat së bashku kanë fituar 18 kupa të Shqipërisë (Tirana, 13 e Vllaznia, 5) do të përballen për herë të pestë në një finale. Në katër të parat: 1979, 1986, 1999, 2006, trofeun e ka "pronësuar" Tirana, edhe pse në atë të vitit 1999, pas barazimit 0-0, bardheblutë fituan nga gjuajtjet e penalltive (3-0).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›