E Diel, 1 Nëntor 2026

Arditi: Ana, artistja tjetër e familjes Gjebrea

Këngëtari dhe showmeni rrëfen 20 vitet e fundit, mes spektaklit dhe muzikës. Eksperienca te “E diela shqiptare”, planet e të ardhmes dhe ardhja e një vajze në shtëpi

Ardit, le ta nisim intervistën nga një pikë interesante e karrierës tuaj që përkon me përmbysje të mëdha që po ndodhnin në vend, me kthimin tënd, me këngën "Jon", që të kujton sa pak janë artistët sot të angazhuar me zhvillimet në Shqipëri. Do donim një përshkrim të vetes suaj, shkurtimisht, në këto 20 vjet.

U ktheva për të vijuar një nisje, ishte një ndërprerje e gjithçkaje të filluar me studime dhe eksperienca televizive fëmijësh etj. Por u ktheva me një eksperiencë 5-vjeçare në Itali, që më shërbeu dhe e ndiej edhe sot, ku gjatë 20 viteve ka patur albume, turne, spektakle televizive, të gjata apo gala, produksione muzikore dhe si këto televizive dhe shumë të tjera

U bë kohë që je pozicionuar tek prezantimi i spektakleve. Çfarë ju shtyn kohë pas kohe tek kjo punë, që nuk është as zanat, në kuptimin e plotë të fjalës.

Mendoj që është zanat, pasi një kontratë e Bonolis në Itali për 3 vite, kalon në dhjetëra miliona euro. Por, edhe në TV të ndryshme në Shqipëri, ka kohë që prezantues, apo gazetarë në rolin e prezantuesve, e kanë kthyer atë në profesion apo zanat. Mendoj se ajo që më shtyn në këtë punë është dëshira e komunikimit direkt nëpërmjet fjalës, mundësia që më jepet për të shkuar dhe takuar ata, nga ku ky profesion të mundëson, njohjen nga afër të shumë njerëzve me gjithë botëkuptimet e tyre. Është një hapësire e pafund që të krijon prezantimi i spektakleve.

Gjithnjë tek bota e spektaklit. Kështu siç është ndërtuar tek ne, duke marrë një model këtu e një model aty nga industria e huaj e imazhit televiziv, nuk ju duket se përcjellin edhe një atmosferë hileqare, jo të vërtetë?

Nuk besoj, sepse kjo "atmosferë hileqare" është kudo. A mund të më thuash modelin totalisht origjinal në Shqipëri të politikës? Po të arsimit? Po të sportit? Po të gazetarisë? E gjithë jeta është një model, i cili lëviz nga një vend në tjetrin, duke përhapur tentakulat e saj në çdo fushë. Por, ta përshtasësh atë sipas nevojave dhe realiteteve ku ti jeton, është origjinaliteti, i cili kërkohet nga të gjithë ata që duan të identifikohen me atë që televizionet ofrojnë. Këtu duhet të bëjmë dallimin e madh!

Do ta ftonit ndonjëherë për kafe një gazetar që ju kritikon?

Vetëm për kafe? Edhe një darkë nuk do ishte keq. Më pëlqen të marr mendime kritike dhe për më shumë i parashtroj menjëherë tek i gjithe stafi, me të cilin bashkëpunoj.

Ka një tendencë për të zbritur në ekran, përfshi këtu edhe "E diela shqiptare", një brez të ri, fare të ri. Ç'mendoni për këtë dhe për mënyrën se si joshet rinia shqiptare nga modelet e botës televizive?

Është e natyrshme dhe mendoj se është e nevojshme të kesh prezent brezin e ri, aq sa është e nevojshme për vetë ata prezenca e eksperiencës dhe e gjithë dija e brezave të thyer. Mendoj se duhet të jemi më shumë të kujdesshëm se çfarë i ofrojmë ne rinisë.

Na thoni ju lutem një model të famshëm që ekziston sot në Shqipëri, por që nuk ju pëlqen (nga fusha e politikës, artit, televizionit)?

Nga fusha e artit ajo që, jo vetëm nuk më pëlqen, por që kontestoj me forcë, është muzika joorigjinale dhe e kopjuar. Krijon një model, i cili për fat të keq, shpeshherë, krijon dhe instalon antikulturën në vend.

Si i shikoni sot bashkëpunimet me regjisoren Vera Grabocka, jeni kthyer të dy në të njëjtin ekran.

I shikoj si një eksperiencë të vlefshme, me shumë kujtime të bukura dhe të vyera. Jemi si një familje prej shumë kohësh dhe ndihem mirë që kemi qenë dhe jemi në të njëjtin ekran.

Je bërë pjesë e një bote që, do s'do, të bën të famshëm, ku lihet gjithnjë vend për komente subjektive, atëherë si e mat Arditi vlerën e punës që bën? Cili është vizioni yt?

Është vështirë të masësh veten dhe kuti yt, shpesh, edhe gabon, sado të thuash: jam kritik ndaj vetes. E vetmja gjë që mund të them është që nuk kënaqem asnjëherë me Arditin dhe vizioni im për të, matet me shprehjen: e mira nuk ka fund! Dhe pse e mira është shpesh relative dhe kjo, jo gjithmonë është perfekte tek unë. Mundohem të sjell vlera dhe vetëm kur shoh gjithë punën që kam bërë në vite, i them vetes: të paktën ke punuar shumë!

E mendon ndonjëherë se birit tuaj do t'i pëlqente një rrugë si kjo?

Jo jo, fare. Ai dëshiron të jetë sipërmarrësi i punës sime, por jo artist. Ka dëshirë të vazhdojë për administrim-biznes. Por kam një ndjesi që kur të më vijë në jetë vajza, ajo do të jetë artistja e familjes :-)

Meqë jemi këtu, kemi dëgjuar që po mbërrin një tjetër Gjebrea në familje... Keni vendosur për emrin?

Ana, një emër që ka vite që na pëlqen të dyve, Anilës dhe mua.

Kthehemi tek pyetja e fillimit. A është Shqipëria sot vendi që ia vlente të mos e braktisje?

Është tepër vonë të mendoj për këtë, edhe pse bota nuk ka kufij, unë e kam gjetur veten këtu, ku askund më mirë nuk besoj se do të isha.

Na thoni tri fjalë të rëndësishme për të përkufizuar situatën e këtushme.

Më mirë po përkufizoj situatën time me tri fjalë: Familja, Puna e përditshme, Muzika. Nëse i do të trija në një fjalë, ok: Dashuri!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›