Bejtja: Pikat e marrëveshjes për Kodin Zgjedhor
Intervista/ Anëtari i komisionit të reformës, Engjell Bejtja, shprehet se KQZ do të kontrollohet nga opozita nëpërmjet një mekanizmi bllokues
Dy anëtarë të KQZ-së do të kenë të drejtën të kërkojnë rinumërim të votave për gjithë rajonin për çdo rast që do të ketë dyshime për manipulime. Ky është mekanizmi kontrollues që do të ketë mundësi të përdorë opozita për të balancuar vendimmarrjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht se shumicën e anëtarëve të këtij institucioni do ta ketë e djathta. Nënkryetari i PSD-së, njëkohësisht anëtarë i Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, Engjell Bejtja, tregon se konsensusi për KQZ-në dhe 70 komisionet e administrimit të votave mes opozitës dhe mazhorancës ka qenë tepër i vështirë për t’u arritur.
Z.Bejtja, vetëm pak ditë më parë Kuvendi zgjati për herë të tretë mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. A tregon kjo se ka një mungesë vullneti për ta përfunduar reformën brenda një kohe të caktuar dhe besoni se do të jetë e nevojshme edhe ndonjë shtyrje tjetër?
Shtyrja e afatit të komisionit ishte e domosdoshme. Nëse marrim në analizë, nëse është normale kjo shtyrje apo jo, unë do të thosha që do të ishte shumë e arsyeshme që komisionit t’i ishte dhënë një mandat më i shtrirë në kohë që në fillim të ngritjes së tij. Gjithësesi ishte e detyrueshme kjo shtyrje e tretë për arsyen sepse komisioni nuk e kishte mbaruar misionin për të cilin ishte ngritur. Për këtë arsye nuk kishte zgjidhje tjetër. Nga ana tjetër unë besoj se ky mandat i ri i dhënë së fundi do të mjaftojë për të realizuar këtë mision. Në kaq kohë mund të bëhen shumë gjëra, kjo edhe për faktin se është rënë dakord për të gjithë elementet thelbësore të Kodit. Për shkak se disa elemente do të duhet të ngriheshin nga e para natyrisht që ka patur shumë diskutime dhe bashkë me diskutimin edhe debate, pavarësisht se një pjesë e tyre nuk janë bërë publike.
Për të mbetur tek KQZ, cila do të jetë formula e komopozimit të KQZ-së së re?
Nuk marr përsipër të them se kjo që di unë është e karakterit përfundimtar pasi edhe sikur të kisha projekt-kodin përpara përsëri ai do të ishte një projekt. Por nga aq sa jam informuar unë KQZ mbetet me shtatë anëtarë, me një mandatat 4-vjeçar. Patjetër peshën kryesore në komision e kanë dy partitë e mëdha PS dhe PD dhe pastaj pjesa plotësuese e këtij komisioni janë anëtarët që do të zgjidhen nga partitë e vogla, të cilat kanë të drejtën të lobojnë brenda krahut të vet politik për të marrë mbështetjen për kandidatët që do të propozojë secila prej tyre.
Pra nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë se forca e dytë e secilit spekter politik do të ketë një përfaqsues në KQZ?
Nëse do të ishte kështu, atëherë ne si PSD do të ishim të favorizuerit dhe çdo gjë mbyllej këtu, pasi si bazë për ngritjen e KQZ-së natyrisht do të merret parasysh rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare. Por duke qenë se diskutimet dhe pretendimet janë të shumta pasi komisioni do të reduktohet në 7 anëtarë, është projektuar që të kenë të drejtë të propozojnë edhe parti të tjera të spektrit të majtë ose të djathtë, por që janë në rezultat më poshtë se dy partitë kryesore. Në këtë mënyrë në krahun e majtë këtë të drejtë e kemi ne, e ka LSI dhe PDS. Kështu që është gjetur një zgjidhje ku kandidatët e secilës prej këtyre partive të kërkojnë mbështetje brenda spektrit të vet politik për t’u bërë seleksionimi aty, pasi në votimin në parlament do të jetë formal.
Përsa i përket anëtarit të shtatë dhe kryetarit të KQZ-së si do të zgjidhet, kujt do t’i përkasë ai, pasi deri më tani është pretenduar një balancim politik i këtij institucioni?
Përsa kohë numri është tek nuk mund të ketë balancë politike. Në këtë rast anëtari i shtatë ndoshta mund të zgjidhet me short ose me një parlament, por që në këtë rast mazhoranca është e favorizuar për shkak të votave që ajo ka. Ngërçi në këtë rast zgjidhet ose tentohet të vendoset një ekuilibër nëpërmjet një mekanizmi bllokues apo një mekanizmi ballancues siç është dhënia e të drejtës së dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar rinumërim votash në një rajon të caktuar. Pra dhënia e kësaj të drejte patjetër krijon një lloj ekuilibri brenda KQZ-së. Së dyti përpjekjet për të krijuar një proces numërimi transparent kuptohet që ul konfliktualitetin në vendimmarrjen në KQZ. Gjithsesi mendoj se këto nuk do të kalojnë pa debat dhe pa qejfprishje.
Një nga risitë e këtij kodi duket se është dhe ndarja në 70 minizona të administrimit të votimeve në qarqe. Mund të na zbardhni diçka më shumë në këtë drejtim, çfarë synohet të arrihet në këtë drejtim?
Në zgjedhjet e fundit u aplikua numërimi i votave në një qendër në çdo zonë zgjedhore. Ajo eksperiencë kuptohet kishte të mirat dhe të këqijat e veta, por gjithsesi mendoj se duke u përpjekur që të hedhim hapa vetëm në drejtimin pozitiv do të thosha se numërimi votave në mënyrë të përqendruar ka anë pozitive sepse nuk lë shkas për deformime apo për manipulim të procesit në skajet ku janë të vendosur qendrat e votimit. Por nga ana tjetër ka dhe anë negative sepse procesi i shtiblerjes së votave lehtësohet. Por në rastin e organizimit të zgjedhjeve në rang rajoni kuptohet që nuk mund të ishte një komision i nivelit rajonal, sepse ai do të duhej të përballej me një ngarkesë shumë të madhe dhe do të kërkonte shumë kohë nxjerrja e rezultatit, saqë mund të vendoste në dyshim daljen e rezultatit në kohën e duhur. Për pasojë është menduar që në të gjithë vendin të ketë 60 apo 70 komisione të administrimit të zgjedhjeve që do të përcaktohen mbi bazën e numrit të zgjedhësve, pra do të kushtëzohet nga numri i popullatës dhe i zgjedhësve në atë rajon. Pra i bie mesatarisht që në 1.5 ish-zona zgjedhore të ketë një komision administrimi të procesit të numërimit të votës. Nga kjo rezulton se një komision i tillë do të duhet të administrojë rezultatin e rreth 30 mijë votuesve.
Kjo ndarje e tillë do të kushtëzojë dhe ndarjen e deputetëve nëpër zona më të vogla zgjedhore sesa janë rajonet?
Kjo ka të bëjë thjesht me administrimin e zgjedhjeve, ndërsa deputeti do të ngelet ashtu siç është edhe përcaktuar në Kushtetutë, deputet i rajonit. Do të thosha se reduktimi i numrit të komisioneve të numërimit ka të bëjë shumë edhe me faturën e infrastrukturës teknike që do të pajisen këto komisione. Kjo pasi këto 70 komisione do të pajisen me disa tavolina ku do të numërohen votat, të cilat do të jenë të pajisura me kamera vrojtuese, me monitor. Kjo do të bëjë të mundur që çdo gjë të regjistorhet dhe çdo subjekt politik mund ta marrë atë në mënyrë elektronike në një disk, i cili do të shërbejë si dokument për një ankimim të mundshëm në sistemin e parashikuar nga Kodi për ankimimin. Pra, nëse do të kishim një numër më të madh të këtyre komisioneve, do të kishim dhe një faturë më të madhe financiare.
Z.Bejtja për të kaluar tek çështja e përgatitjes së partive politike për sfidën e ardhshme parlamentare. Ditët e fundit pamë nënshkrimin e marrëveshjes për bashkimin midis PD-së dhe PDR-së në të djathtë. Mendoni se një proces i tillë duhet të përfshijë dhe forcat e majta, pasi kam parasysh se PSD prej kohësh ka anonçuar idenë e një federate në të majtë?
Ne u njohëm së fundi në lidhje me bashkimin e PD-së me PDR-në dhe përpiqemi t’i japim kësaj një vlerësim pozotiv, pasi kjo shënon lindjen e një klime bashkimi në politikën shqiptare. Megjithatë me keqardhje do të thosha se në të vërtetë ky veprim i këtyre dy forcave nuk është tamam një bashkim për të cilin politika shqiptare ka nevojë por është një pragmatizëm i dyanshëm si i PD-së, ashtu edhe i PDR-së. Nga ana e Berishës kjo është kërkuar të përdoret si një makiazh në fytyrën problematike të Berishës tek nderkombëtarët. Pra Berisha përpiqet të tregojë se i fryn bashkimit dhe jo ndarjes. Ndërsa drejtuesit e PDR-së gjetën një zgjidhje për të mbetur në politikë. Kurse përsa i përket situatës apo asaj që ne kemi synuar të arrijmë në të majtë nuk janë aspak të ngjashme me këtë që ndodh sot në të djathtë, kjo pasi PSD nuk ka qenë produkt i PS, por është një forcë që ka profilin e vet politik. Megjithatë unë mendoj se e majta ka nevojë për një frymë bashkimi për të realizuar misionin e vet të fitimit të zgjedhjeve dhe për drejtimin më pas të vendit në mënyrë të përgjegjshme dhe për të shëruar plagët që ne i njohim mirë dhe që ndjehemi të aftë t’i shërojmë ato. Por së pari e majta ka nevojë për afrim dhe më pas për bashkim.
Me këtë sistem zgjedhor sa e nevojshme bëhet bashkimi në garën e ardhshme elektorale i të gjitha forcave politike të majta në një koalicion, përfshi këtu edhe LSI-në?
Nëse do të shprehim me gjuhën e matematikës do të thoshim se është i nevojshëm por jo i domosdoshëm. Ne do ta uronim që të ishim bashkë të gjithë, por jo formalisht por shpirtërisht me programe të përbashkëta. Në rast se nuk arrihet kjo është e nevojshme që të arrihet një paqe brenda së majtës. Paqe e cila mund të prodhojë edhe dy koalicione, një që të udhëhiqet nga PS dhe një nga LSI. Ne si PSD natyrshëm e shohim veten në koalicionin që do të udhëheqë PS.
Për KQZ-në
“KQZ mbetet me shtatë anëtarë, me një mandatat 4-vjeçar. Patjetër peshën kryesore në komision e kanë dy partitë e mëdha PS dhe PD dhe pastaj pjesa plotësuese e këtij komisioni janë anëtarët që do të zgjidhen nga partitë e vogla, të cilat kanë të drejtën të lobojnë brenda krahut të vet politik për të marrë mbështetjen për kandidatët që do të propozojë secila prej tyre”
Për balancimin
“Ngërçi në këtë rast zgjidhet ose tentohet të vendoset një ekuilibër nëpërmjet një mekanizmi bllokues apo një mekanizmi ballancues siç është dhënia e të drejtës së dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar rinumërim votash në një rajon të caktuar. Pra dhënia e kësaj të drejte patjetër krijon një lloj ekuilibri brenda KQZ-së”
Për numërimin
“Është menduar që në të gjithë vendin të ketë 60 apo 70 komisione të administrimit të zgjedhjeve që do të përcaktohen mbi bazën e numrit të zgjedhësve, pra do të kushtëzohet nga numri i popullatës dhe i zgjedhësve në atë rajon. Pra i bie mesatarisht që në 1.5 ish-zona zgjedhore të ketë një komision administrimi të procesit të numërimit të votës”
Për bashkimin
“Unë mendoj se e majta ka nevojë për një frymë bashkimi për të realizuar misionin e vet të fitimit të zgjedhjeve dhe për drejtimin më pas të vendit në mënyrë të përgjegjëshme dhe për të shëruar plagët që ne i njohim mirë dhe që ndjehemi të aftë t’i shërojmë ato. Por së pari e majta ka nevojë për afrim dhe më pas për bashkim”
Për Koalicionin
“Nëse do të shprehim me gjuhën e matematikës do të thoshim se është i nevojshëm por jo i domosdoshëm. Ne do ta uronim që të ishim bashkë të gjithë, por jo formalisht por shpirtërisht me programe të përbashkëta. Në rast se nuk arrihet kjo është e nevojshme që të arrihet një paqe brenda së majtës. Paqe e cila mund të prodhojë edhe dy koalicione, një që të udhëhiqet nga PS dhe një nga LSI. Ne si PSD natyrshëm e shohim veten në koalicionin që do të udhëheqë PS”