Ardjan Turku: Shqipëria destinacion atraktiv për turistët
Bilanci i turizmit në Shqipëri dhe sfida për vitin 2009 ishte tema e konferencës që u zhvillua dje, e cila kishte në fokus të saj turizmin shqiptar. I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ardjan Turku, i cili në fjalën e tij theksoi se: Sfida e së ardhmes e turizmit shqiptar është të tërheqë rreth 6 milion turistë në vit.
Duke iu referuar njërës prej revistave britanike të specializuara në fushën e turizmit, "Lonely Planet Guide", sipas së cilës rreth 600 milion turistë nga e gjithë bota vizitojnë gjatë një viti vendet e pellgut mesdhetar, ministri Turku deklaroi se sfidë për ministrinë që ai drejton është që të bëjë të mundur tërheqjen e 1 për qind të këtyre vizitorëve në vendin tonë. "Megjithëse rajoni dhe bota po kalojnë një periudhë krize financiare e ekonomike, 3-mujori i parë i vitit 2009 ka një rritje prej 7 për qind të numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Kjo do të thotë që Shqipëria mbetet një destinacion atraktiv turistik në këtë krizë ekonomike botërore", u shpreh kreu i MTKRS. "Të gjitha investimet në akset rrugore, prej qindra milion eurosh në të gjithë vendin, të gjitha grantet konkurruese që i janë dhënë pushtetit lokal, të gjitha investimet në sinjalistikë rrugore e turistike, investimi prej 310 milion lekësh me destinacion objektet e trashëgimisë kulturore i vitit të kaluar, investimet në fushën e kulturës për këtë vit prej 120 milion eurosh, investimet në objekte kulturore në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, janë ndër të tjera edhe investime për fushën e turizmit," deklaroi më tej ministri Turku, në përgjigje të interesimit të medias për masën e investimeve në fushën e turizmit për vitin 2009. Zv.ministrja e TKRS, Suzana Turku, vlerësoi në fjalën e saj se: me një bashkëpunim më të mirë se kurrë midis pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe sektorit privat të turizmit, do ta bëjmë turizmin një veprimtari ekonomike të suksesshme. Në kuadrin e rritjes së imazhit të turizmit shqiptar në nivel kombëtar e ndërkombëtar ajo do të përmendte të suksesshme: Pjesëmarrjen e përbashkët në një stendë të re të përfaqësuese në dhjetëra panaire ndërkombëtare, sidomos në atë të Berlinit dhe Londrës. Promovimin turizmit shqiptar në rrjetin televiziv CNN dhe Euronews, të cilat patën efekt në rritej e numrit të turistëve në vendin tonë. Konferenca e djeshme ishte një bashkëpunim i rëndësishëm midis të gjithë aktorëve, që lidhen me zhvillimin e turizmit në Shqipëri.