Poeti Xhevahir Spahiu kthehet në shtëpi
Më në fund duket se lajmi i mirë për shëndetin e poetit mbërrin të premten. Xhevahir Spahiu do të jetë në Tiranë ditën e premte, i shoqëruar nga djali i tij, që është mjek, Orgesi - këtë na e kanë pohuar burime të afërta me poetin. Prej disa javësh, ai është dërguar në Turqi për ndërhyrje kirurgjikale - e parë si e vetmja mundësi shpëtimi, ndonëse nga mjekët është thënë më parë se do të ishte një operacion i vështirë.
Ajo që mbetet të marrim vesh është përmirësimi i plotë i shëndetit të poetit, nëse ai do të arrijë të flasë. Prej mesnatës të së premtes të disa javëve më parë, poeti i njohur ka zënë shtratin nga një ishemi cerebrale, që i është shkaktuar nga tensioni i lartë. Kjo gjendje sipas mjekëve është tepër e rëndë, dhe një mundësi e vetme për të shpëtuar ka qenë kurimi jashtë vendit. Në repartin e neurologjisë, në spitalin numër 5, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", Xhevahir Spahiu ka qenë shtruar për disa ditë nën kujdesin e ekipit të mjekëve Mentor Petrela, Hiera Kruja dhe Mira Rakacolli, si dhe në përkujdesjen e vetë ministres së Shëndetësisë, Anila Godo. Orges Spahiu, djali i poetit, i cili është mjek, ka shpjeguar vazhdimisht për mediat se Xhevahir Spahiu ka dy vatra në hemisferën e majtë të trurit. Ato janë ekzaminuar me rezonancë magnetike dhe ka rezultuar se janë më të mëdha nga sa ishte parë nga skaneri. Ajo që mbetej sipas mjekëve ka qenë ndërhyrja kirurgjikale, që tregohej sërish e rrezikshme, për të cilën ka pasur shumë dilema deri në momentin e ekzaminimit përfundimtar. Edhe pse gjymtyrët reagojnë, pra nuk ka bllokim të lëvizjes, për shkak të ishemisë, poeti Xhevahir Spahiu nuk ka mundur të flasë në Tiranë. Tani pas kthimit nga Turqia pritet të shihen ndryshimet, si dhe fjalët e fundit të mjekëve. Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945, në fshatin Malind të Skraparit dhe është shkrimtar i njohur shqiptar. Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të atdheut. Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si "Ti qytet i dashur (1973)", "Vdekje e perëndive (1977)", "Dyer dhe zemra të hapura (1978)", "Poezia shqipe (1990)", "Kohë e krisur (1991)" etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, "Udha". Në vitin Spahiu ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një institucioni i trashëguar nga diktatura, ku më pas emërohet kryetar i saj deri në vitin 1999. Në këtë kohë Spahiu do mbahet mend si një nga kundërshtarët më të fortë të ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama, për të mos ia dhënë godinën që sot është Ministri Kulture, francezëve. Një gjyq që do mbahet mend e ia la të drejtën sërish për administrim shtetit. Poezia e Spahiut reflekton përvojën shpirtërore të shqiptarëve, duke e shndërruar në fillim të viteve ’90-të në një timbër gati rebel. Kjo ndodh në poezitë e Spahiut deri në vëllimet poetike të fundit “Udhëtimet e mia”, ku na janë treguar për herë të parë dhe poezitë e censuruara, nga regjimi.