E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artemisa?! Në tempull në 2011



Francezët kanë zbuluar në Durrës një sit arkeologjik tepër me vlerë, një thesar të çmuar, i cili besohet se do të bëhet shumë shpejt një vlerë turistike e rrallë. Janë disa tonelata me antika të deshifruara shkencërisht nga arkeologët francezë dhe disa kolegë të tyre shqiptarë që kanë pasuruar Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Nga analizat e kryera në laboratorët francezë është arritur në përfundimin se kemi të bëjmë në zbulimin e Tempullit të Artemisës në kodrën e Dautes, apo siç njihet në Durrës, “Çezma e Ferrës”. Por, për të arritur në gjurmët e tij nevojiten gërmime të reja të arkeologëve francezë dhe kolegëve të tyre shqiptarë. Të bashkuar në Misionin Shqiptaro-Francez të Durrësit, ata kanë përfunduar fazën e parë të misionit që ka zgjatur 7 vjet dhe po përgatiten për fazën e dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2011. Puna e këtij misioni për fazën e parë është mbyllur me pasurimin e eksponateve të muzeut me antika të disa llojeve, si dhe me futjen për botim të kësaj trashëgimie e që do të jetë gati për sezonin turistik që po troket. E gjithë kjo punë është mundësuar me fonde të siguruara nga qeveria franceze.

Si nisi puna e ekspeditës

Ekspedita ka nisur nga puna pikërisht në vitin 2002, kur dy qeveritë respektive, shqiptare dhe ajo franceze, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e arkeologjisë ndërmjet Institutit Arkeologjik të Durrësit (sot i shkrirë në Tiranë në përbërje të Qendrës së Studimeve Albanalogjike) me Universitetin “Sharl de Gol” të Lilës në Francë. Arkeologu Fatos Tartari deklaroi për “standard” se “misioni i këtij grupi ishte studimi i materialit arkeologjik të zbuluar në vitet 1970-1971 në kodrën e Dautes, që kishte mbetur i patrajtuar shkencërisht. Bëhet fjalë për më shumë se 1 ton enësh prej balte të përdorimit shtëpiak, të një sasie prej 600 monedhash prej bronzi, të 3 ton materiale ndërtimi si tjegulla, tulla dhe elemente dekorative e të tjera materiale të këtij lloji”. Analiza e këtij materiali shumë të pasur i nxiti arkeologët në përfundimin se kishin të bënin me një sit të pasur arkeologjik, që u përket shekujve IV-II para erës së sonë. Dhe se ato kanë qenë pjesë e Tempullit të Artemisës ose Artemisioni i Dyrrhachionit, e cila ka qenë perëndesha më e rëndësishme ilire, ekuivalente me Athinanë e Greqisë. Ajo kishte të bënte me gjuetinë, pjellorinë dhe ushqimin. Banorët e Durrësit i blatonin objekte me përfytyrime mbi ekzistencën dhe paraqitjen e saj, të cilat janë pjesë e trashëgimisë së gjetur nga ana e arkeologëve 39 vjet më parë. Studimi i kësaj pasurie arkeologjike nga ky mision i dha atij Çmimin e Parë Ndërkombëtar, CLIO, në Luvër të Francës disa kohë më parë.

Profesori francez Arthur Muller tha se “e gjithë kjo trashëgimi shton vlerat arkeologjike dhe historike të Durrësit dhe krijon një koleksion shumë të pasur ikonografik dhe tipologjik”. Përfundimi i kësaj faze do të jetë botimi i albumit “Artemisoni i Durrhachionit”, që është një guidë arkeologjike në version frëngjisht dhe e përkthyer në shqip dhe anglisht. Ai do të dalë në qarkullim në prag të sezonit të ri turistik. Por, për të kuptuar se ku gjendej tempulli antik, sipas specialistëve, kërkohen gërmime të reja, të cilat i përkasin një tjetër faze të re. Arkeologë të tjerë francezë prej vitesh janë prezentë në Sovjan të Korçës dhe në Bylis të Fierit. Zbulimi i rrallë do t’i shtohet vlerave turistike të Durrësit, dhe ndoshta qysh këtë sezon ai do të thithë qindra turistë, pasi këto ditë hyn në guidat turistike të gjithë agjencive turistike shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›