Sinani shkruan për prozën e Kadaresë
Nëpër libraritë e vendit sapo është hedhur në qarkullim libri me studime “Për prozën e Kadaresë” i Prof. Dr. Shaban Sinanit, botim i kolanës “Universitas” të shtëpisë botuese “Naimi”. Profesor Sinani njihet si një nga studiuesit më kompetentë të shkrimtarit të njohur. Shaban Sinani, studiues dhe historian i letërsisë; etnolog, eseist dhe publicist; pas botimit të disa librave me studime historiko-letrare, mes të tjerësh: “Pengu i moskuptimit” (1997), “Sipërore” (1998), “Mitologji në eposin e kreshnikëve” (2000, 2006), “Kështjella e virtytit” (2001), “Beratinus” (2004), “Një dosje për Kadarenë” I-II (2005), “Një Shqipëri tjetër” (2006), “Ura dhe kështjella” (2006), “Prurje kulturore orientale” (2007), “Përveçime” (2007), ja ku ridel para lexuesit me një libër të ri, që përmban artikuj dhe studime të shkruara për prozën e I. Kadaresë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundmë, gjatë viteve 1991-2009.
Në hyrje të librit “Për prozën e Kadaresë” Akademik Jorgo Bulo, ndër të tjera, shkruan: “Me këtë libër Shaban Sinani dëshmon se është një zë autoritar në studimet tona dhe sidomos në studimet për Kadarenë. Libri ka për qëllim të lehtësojë një lexim shkencor të prozës së Kadaresë, sidomos prej studiuesve në formim e sipër. Por në një vlerësim më të gjerë ky libër i ri me studime i Shaban Sinanit mund të shërbejë dhe si një udhërrëfyes i saktë jo vetëm për nxënësit, studentët, filologët dhe studiuesit e veprës së Kadaresë, por, për shkak të gjuhës së shkathët dhe stilit elegant, edhe për lexuesin e gjerë dhe dashamirësit e letrave shqipe. Mund të thuhet se kush kërkon të kuptojë dhe studiojë edhe më thellë prozën e I. Kadaresë e ka të domosdoshëm këshillimin me studimet e Shaban Sinanit dhe me këtë libër të ri të tij”. “Shaban Sinani me studimet e tij, - thuhet më tej në parathënie, - u bë një nga aktorët e ndryshimit në mënyrën e të menduarit dhe të interpretimit të proceseve historike e kulturore të zhvillimit të shqiptarëve nga lashtësia në bashkëkohësi”. “Në fushën e studimeve letrare, në punën e tij, ai e zhvendosi epiqendrën në të sotmen, duke sfiduar të ashtuquajturën “teori të distancës”, si domosdoshmëri për të gjykuar drejt mbi proceset dhe produktet kulturore e letrare”, - shkruan për autorin e librit Prof. Bulo.