Danc modern në qytetin e Durrësit
Sot starton në qytetin bregdetar të Durrësit Edicioni i 4-t i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern Bashkëkohor, i cili do të zhvillohet deri në 6 maj. Organizimi i këtij festivali ka sjellë artistë nga Izraeli, Hungaria, Kanadaja, Italia, Britania e Madhe, Shqipëria, Greqia, etj, të cilët do të konkurrojnë me shfaqjet e tyre në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu".
Drejtori i Festivalit, Gjergj Prevazi bëri të ditur se 9 artistët izraelitë të "Kolben Dance Company" do të hapin mbrëmjen e sotme të Edicionit të katërt të "International Modern and Contemporary Dance Festival". Artistët ndërkohë po njihen me skenën ku do të performojnë për herë të parë. "Kjo është trupa e parë artistike, që vjen në vendin tonë nga Izraeli, dhe pas prezantimit në Durrës, në 2 maj ata do të jenë në dhe në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë me spektaklin "Plusminus", u shpreh drejtori Prevazi. Në programin e festivalit nga 30 prill-6 maj, janë pjesëmarrës nëntë kompani teatrore nga Kanadaja, Italia, Turqia, Shqipëria e Hungaria, Greqia dhe Izraeli. Në këtë edicion është parashikuar pjesëmarrja e specialistëve, drejtuesve dhe menaxherëve të festivaleve të ngjashme nga Belgjika, Holanda, Turqia, Maqedonia, Italia, etj. Festivali synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme. Ky aktivitet ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenën e teatrit janë përballur trupa dhe kompani artistike nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Zvicra, Greqia, etj.