E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita Malltezi: Edi Rama i kapur nga paniku për të fshehur pasuritë

17-01-2013 / Gazeta 55

“Tarifat e përcaktuara dhe të njoftuara haptas klientëve në një vend të lirë janë akt i plotë transparence dhe ti (Edi Rama) me këtë nuk mund të justifikosh burimin e fondit prej 1 milion euro të ndërtimit të pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar i familjes së bashkëshortes suaj, Linda Basha”

Argita Berisha Malltezi reagoi sërish dje lidhur me akuzat e Partisë Socialiste për pasurinë e saj. Përmes një deklarate për mediat, vajza e kryeministrit Berisha nënvizon faktin se “kreu i PS, Edi Rama i kapur nga paniku për të fshehur pasuritë e tij, dhe nën moton shpif, shpif se diçka mbetet, ka vënë në përdorim gjithë arsenalin e tij mediatik për të hedhur baltë, në vend që të sqarojë kapjen e tij nga interesat e milionave, të padeklaruar prej tij dhe bashkëshortes së tij, Linda Basha”.
Ajo thekson se, në një kohë kur opinioni dhe ligji presin nga Rama sqarim për pasurinë e tij dhe të bashkëshortes së tij, ai vijon me porcionin e përditshëm të shpifjeve dhe baltës paraelektorale. Argita Berisha Malltezi i kujton Edi Ramës se, përpara se të kapet pas fijes së barit, të japë shpjegime për “dhuratën” 100 milionë lekë të bashkëshortes së tij, pallatin po të bashkëshortes së tij të ndërtuar mbi një lulishte, duke abuzuar me detyrën dhe me leje të firmosur nga ai (Edi Rama) në konflikt të hapur interesi.
“Z. Rama, që prej katër ditësh u keni premtuar shqiptarëve që do t’u jepni sqarime se: Cila është origjina e huas prej 100 milionë lekësh të bashkëshortes suaj Linda Basha? Përse nuk jepni përgjigje nëse keni qenë në konflikt interesi kur keni firmosur lejen e ndërtimit për pallatin 5 katesh të bashkëshortes suaj dhe familjes se saj ne Rr “Qamil Guranjaku”? A keni abuzuar ju me detyrën kur keni firmosur shndërrimin e një shesh pushimi pallatesh në shesh ndërtimi për pallatin 5 katesh të bashkëshortes suaj, në kundërshtim me nenin 62 të ligjit të urbanistikës? Lidhjet tuaja familjare ju detyrojnë të bëni publike burimet e financimit të një pallati prej 900 metra katrore në qendër të Tiranës si dhe përgjigjen nëse firmat e ndërtimit janë paguar në para apo jo”, thuhet në deklaratën e Argita Malltezit.
Sa i takon pretendimeve të ngritura nga PS, lidhur me biznesmenin pakistanez, Zafar Ansar, znj. Malltezi sqaron se “zotëria në fjalë nuk ka paguar as dhe një qindarkë, ndonëse ai ishte njohur paraprakisht me transparencë të plotë me tarifat e zyrës”.
Sipas saj, tarifat e zyrës së avokatisë, i janë deklaruara paraprakisht klientit në fjalë siç e kërkon praktika e punës.
“Z. Rama, opinioni dhe ligji presin nga ju sqarim për çështjet e mësipërme dhe jo porcionin e përditshëm të shpifjeve dhe baltës paraelektorale. Sa për fijen e kashtës në të cilën jeni kapur, meqë standardi im i transparencës nuk është ai që përdorni ju, po sqaroj publikun sa me poshtë: Biznesmeni në fjalë 6 vjet më parë më ka kontaktuar mua, dhe jo anasjelltas, dhe më ka kërkuar përshkrim ligjor dhe ndihmë në fazën fillestare të hartimit të projektit dhe studimeve të tjera që duheshin për këtë fazë. Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë ka qenë tërësisht privat dhe nuk ka patur të bëjë me ndërtim pallati prej 5 katesh në lulishten e sheshit të pallateve, me leje të firmosura nga ju në konflikt të hapur interesi për bashkëshorten tuaj. Për të gjitha veprimet e zyrës sime të avokatisë, zotëria në fjalë nuk ka paguar as dhe një qindarkë, ndonëse ai ishte njohur paraprakisht me transparencë të plotë me tarifat e zyrës. Zoti Rama tarifat e përcaktuara dhe të njoftuara haptas klientëve në një vend të lirë janë akt i plotë transparence dhe ti me këtë nuk mund të justifikosh burimin e fondit prej 1 milion euro të ndërtimit të pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar i familjes së bashkëshortes suaj, Linda Basha. Së fundi, z Rama ju nuk mbuloni dot me tarifat e zyrës sime të avokatisë, të deklaruara paraprakisht klientit në fjalë siç e kërkon praktika e punës, me mos deklarimin e burimit të 100 milion lekëve kredi pa interes të bashkëshortes juaj ndërkohë që ligji i deklarimit të pasurive të detyron qartazi për këtë”, thuhet më tej në deklaratën e znj. Argita Malltezi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›