E Diel, 1 Nëntor 2026

Argita lind për herë të katërt me operacion, Berishës i bëhen gjashtë nipër e mbesa



Zirina Llambro

Bëhet gjysh për herë të gjashtë, Kryeministri i vendit Sali Berisha. Për të e për gjithë familjen, dita e djeshme nuk ishte aspak një ditë e zakonshme. Ndonëse nuk ka bërë asnjë devijim nga axhenda e takimeve zyrtare, kreu i Qeverisë mundi të marrë në krahë, që në mëngjes herët, nipin më të vogël të familjes, Artin. Po kështu, një tjetër vizitë në ambientet e maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", ku është e shtruar vajza e tij, ai e bëri rreth orës 17:00. Këtë konfirmojnë burime të sigurta brenda spitalit. Vajza e Kryeministrit, Argita Berisha solli dje në jetë rreth orës 6 e 30 të mëngjesit fëmijën e saj të katërt. Pas tri vajzave, ajo dhe familja e saj gëzohen me një djalë. Ndërkohë që djali i tij, Shkëlzeni, e ka bërë Kryeministrin më parë dy herë gjysh, me një vajzë dhe një djalë.
Burime nga stafi i mjekëve konfirmuan se bashkë me beben, Argita Berisha është e shtruar aktualisht në pavijon dhe lindja me operacion ka shkuar më së miri. "Bebja peshon mbi 3 kg, është shumë mirë dhe po ashtu edhe nëna", theksuan burimet. Ata pohuan për gazetën se për vajzën e Kryeministrit është lindja e katërt që kryen me operacion, duke ia besuar për herë të tretë ndërhyrjen, drejtorit të këtij spitali, por edhe mjekut që e ka ndjekur gjatë shtatzënisë, Halim Kosovës. "Një ekip tjetër ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale për lindjen e parë, ndërsa tre të fundit janë kryer nga mjeku obestër-gjinekolog, Halim Kosova", pohuan burime brenda familjes së Kryeministrit. Nuk dihet nëse Argita Berisha do të lërë sot maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", por gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, nuk kanë munguar vizitat, buqetat me lule dhe urimet nga miqtë dhe familjarët e afërt. Nga sa pohojnë burime nga stafi i mjekëve, lindja me operacion ishte parashikuar në datën 1 qershor. Por, vajza e Kryeministrit ka pasur dhimbje të parakohshme dje rreth orës 2 të mëngjesit. Pas kontaktit me mjekët, ajo është sjellë me urgjencë në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", ku është vendosur më pas që të hyjë në sallë. "Javën që vjen mbusheshin 38 javë dhe ishte parashikuar ndërhyrja, por dhimbjet e parakohshme sollën ndërhyrjen sot, pasi nuk mund të parandalohej", thanë burime nga materniteti "Mbretëresha Geraldinë".

“Nuk është jashtë planeve tona as fëmija i pestë”

Arta Marku

Sjellja në jetë e fëmijës së katërt. E vështirë shpërfillja e këtij lajmi, që përmban brenda edhe guximin, sidomos në rastin e një gruaje në karrierë. Pse ky vendim? Një dëshirë.... apo pajtim me dhuratën e Zotit? Për vajzën e Kryeministrit ka qenë një kombinim i të dyjave. "Një dëshirë e jona, por edhe një dhuratë e Zotit në çdo çast e mirëpritur nga ne". Kështu ka pohuar ajo pak kohë më parë për revistën "Psikologji"
Tri vajza dhe për herë të katërt një djalë... dikush mund të mendojë se iu ka munguar djali...
Absolutisht jo. Nuk kam jam ndjerë e parealizuar asnjë çast nga mospasja e një djali. Por besoj se të mbash gjithnjë një bebe në dorë, është një mrekulli. E kam kuptuar këtë kur u bëra për herë të dytë nënë. E tani, ky fëmijë i katërt vjen edhe me dëshirën për të mos harruar ndjesinë e të pasurit një bebe në duar. Një djalë pas tre vajzave, është sigurisht shumë mirë. Kjo vetëm ngase variacioni në një familje është shumë mirë. Gjithsesi nuk kam qenë asnjëherë në kërkim të djalit. Ishte vendimi i Zotit kështu. Fundja unë e shoh edhe si një sfidë ardhjen e djalit teksa jam mësuar të jem nënë vajzash.
Largpamëse?! Po mendoni se do ta keni të vështirë të kuptoni një djalë... kur ai të rritet?
Ajo që di të them është se instinkti i nënës zhvillohet në momentin e duhur. Pra, pavarësisht se përvojat e mia janë përballë vajzave, besoj se do të mësoj në momentin e duhur të rris edhe djalin. Sigurisht është me vend të mendohet për sfidat me të cilat mund të përballesh më vonë. Janë nga më të paimagjinueshmet.
Që do të thotë? ç'gjë e paimagjinueshme iu shkon nëpër mend?
Për shembull... një lloj meraku: një vëlla mes tre motrave... Mos ndoshta do të kishte nevojë për më shumë prezencë mashkullore?
Po planifikoni fëmijën e pestë?
Një fëmijë është gjithnjë i mirëpritur për mua, për ne... Kjo nuk do të thotë se po planifikoj. Por nëse do të vinte, pse jo.
Si e kujtoni eksluzivitetin e herës së parë nënë. është një moment special, apo jo, i paharrueshëm, pavarësisht nga mosha e fëmijës...
Po. E paharrueshme, edhe pse dhe herët e tjera kanë qenë po aq të magjishme dhe unike. Por le të rrimë te hera e parë: ishte një lindje me operacion dhe unë për shume orë qeshë nën efektin e narkozës. E meqë ishte kështu, e refuzova disa herë time bijë sepse isha e bindur se takimi i parë me të, duhej të ishte në një çast kthjelltësie absolute. Dhe ashtu ndodhi. Kur ime më, më solli Sarën, kam përjetuar një moment me të vërtetë të lumtur.
Por gjithsecila nga herët më është ngulitur në kujtesë. Nuk dua të them vetëm se vajzat e mia mu dukën bebet më të bukura në botë. Më tepër se kjo, ai takim i parë me vajzat, më është dukur shumë domethënës për karakterin e tyre edhe për marrëdhënien time të mëtejshme me to. Mu duk se pikërisht herën e parë gjithsecila më paraqiti personalitetin e vet. Tek Sara spikati natyra e saj pavarur. Dhe ajo ashtu është. Dalia mu shfaq si një engjëll, e butë e brishtë, një natyrë e varur që ka nevojë për mua. Kurse Amla, krejt ashtu siç ka emrin, e ëmbël, lozonjare. Dhe ajo është fëmija me të cilën ne luajmë gjithnjë...
Ka një detaj. Diçka që përsëritet me të gjithë: fëmijët, anipse i presin vëllezërit me shumë dëshirë, me ardhjen e tyre fillojnë skenat e xhelozive. Dhe gjithçka është e përligjur. Vëmendja prindërore shpërndahet. Cili është rasti juaj?
Edhe fëmijët e mi kanë shfaqur shenja xhelozie pas ardhjes në shtëpi të më të vegjëlve. Unë vetë rigjeta veten time te ato. Sepse, pavarësisht se e kam dashur pafundësisht shumë tim vëlla, ndjeva edhe xhelozi nga fakti që prindërit, kishin edhe dikë tjetër nga i drejtonin sytë. Por në të gjitha rastet, janë skena normale xhelozie e për më tepër kalimtare.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e një familjeje të madhe me shumë fëmijë?
Familja e madhe ka më pak disavantazhe nga sa mund të mendohet. Nuk është e vërtetë që lodhja shumëfishohet për një grua varësisht numrit të fëmijëve. Së pari njeriu aftësohet dhe mëson t'i bëjë gjërat më lehtësisht. Mandej familja e madhe ka një efekt jashtëzakonisht pozitiv mbi fëmijët: mësojnë të jenë më pak egoistë dhe më shumë kërkues ndaj vetes. Lidhen me njëri -tjetrin ndihmojnë njëri- tjetrin. Nuk ka më ekskluzivitet dhe kjo është një gjë e mirë. Fundja a nuk është kështu vetë jeta?
Sigurisht ka edhe problematika familja e madhe. Sepse çdo fëmijë vjen me specifikën e vet individuale.
Më lart folët për tre karaktere të ndryshme të vajzave tuaja: nuk duhet të jetë i lehtë komunikimi apo mirëkuptimi me gjithsecilën... nevojitet përshtatje... apo unë e kam gabim?
është një sfidë më vete. Nganjëherë të duket sikur je duke folur me njerëz të kombësive të ndryshme e për të komunikuar me gjithsecilin duhet të zgjedhësh gjuhën e tij. Por kjo nuk ndodh gjithnjë, sepse në familje ka një ndërveprim mes të gjithë pjesëtarëve dhe nuk të duhet të bësh në çdo çast rojën e kullës. është një situatë njerëzore e cila ka pjesën e vet të vështirësisë, të sfidës por edhe të kënaqësisë. Ama, në fund të ditës, pavarësisht sfidave me të cilat jam përballur, prapë them se një familje e madhe është një përvojë e bukur.
Familja e madhe është ajo që ju kishit përfytyruar për veten, gjithnjë?
Në të vërtetë, më parë nuk e kisha përfytyruar kështu familjen time.
Ndoshta për shkak të modelit... Vini nga një familje e vogël. Por si ndryshoi ideja?
Më herët kisha të tjera plane për jetën time. Kisha përfytyruar se do të martohesha rreth moshës 33 vjeç pasi të kisha përfunduar me të gjitha pikësynimet e mia akademike. Në të vërtetë u martova 24 vjeç dhe 33 vjeç linda vajzën time të tretë. Zemra mori të tjera vendime nga ato të mendjes, dhe planet e mia u përmbysën, por jam shumë e kënaqur për këtë. Rezultati ka qenë optimal.
Po pikësyminet akademike?
Në tërësi jam e kënaqur me rrjedhën që ka ndjekur karriera ime. Them se deri tani ka qenë shumë e larmishme dhe interesante: nga lektimi ne sallat e Fakultetit, në Misionin e OKB në Kosovën e paskonfliktit, për t'u rikthyer prapë auditorëve të universitetit dhe zyrës së avokatisë që në aspektin profesional ka qenë një universitet i dytë. Një pjesë e mirë e pikësynimeve akademike u realizuan me mbrojtjen e doktoraturës pak kohë më parë. E gjitha kjo u shtri në një hark kohor më të gjatë se ç'e kisha menduar. Dhe fëmijët u futën midis. Megjithatë ky është një proces dhe sfidë që vazhdon...
Asgjë e lënë pas dore?!
Sigurisht që ka gjëra të lëna pas dore. Një pjesë e mirë e privimeve kanë të bëjnë me mua.
Që do të thotë...
Që do të thotë se, përshembull, do ta kisha dashur të udhëtoja më shumë. Por... Nuk mund të mos e pranoj se ndonjëherë kam punuar shumë, i kam kapërcyer oraret dhe jam ndjerë në faj ndaj fëmijëve...
Në raste të tilla, keni pasur ndihmë?
Unë dhe im shoq, kemi zgjedhur të mos u mungojmë fëmijëve. Kur them jam vonuar në mbrëmje, e kam fjalën për orën 6 ose 7. Jo më vonë. Mandej, s'i kemi lënë pothuaj kurrë fëmijët vetëm për një kohë të gjatë. Mund të ketë ndodhur vetëm dy ose tri herë kur ne kemi udhëtuar pa fëmijët. Ose ata kanë qenë me ne, ose njëri prej nesh, unë ose Abi, ka qenë gjithnjë në shtëpi. Kuptohet mbështetja e prindërve është e pazëvendësueshme. Aq më tepër që fëmijët e mi ndihen mirë me gjyshërit. Qoftë me prindërit e mi qoftë më prindërit e Abit, me dajën me hallën... me familjen e madhe.
S'e besoj se babai juaj vjen dhe u tregon përralla mbesave te vogla...
Ju nuk e keni idenë se sa të lidhur janë ata dhe se sa i fiksuar është ai pas mbarëvajtjes së tyre. Pastaj, ne banojmë kaq afër dhe distanca gjyshër-mbesa nuk ka sens në rastin tonë.
Cila jeni ju në raport me karrierën dhe familjen? Cilën nga të dyja vini në parën në rend?
Kam përshtypjen që i gjithë brezi im është edukuar me idenë që puna është një element i pandashëm i natyrës dhe jetës sonë. Unë kam përvojat e shumë shoqeve të mia. Ato e kanë vuajtur në momente të caktuara, le të themi papunësinë, ose nuk kanë qenë të kënaqura me atë që kanë arritur në profesionin e tyre. Disa gjenerata janë edukuar me idenë që gruaja duhet t'i bëjë të gjitha, familjen, punën. Kur them punën, nënkuptoj pikërisht avancimi në karrierë dhe të gjitha elementët e tjerë socialë që mund të vijnë bashkë të. Them që kjo është çështje edukimi individual, pasi sot besoj që edhe vendimi i shumë grave për t'iu përkushtuar vetëm familjes është po aq angazhues dhe shpërblyes në aspektin moral.
Unë jam përpjekur që t'i harmonizoj sa më shumë të mundem të gjitha këto, por absolutisht, ka qenë dhe mbetet parësore familja. Edhe në momentet kur angazhimi profesional ka qenë më intensiv koha e përcaktuar për familjen nuk cenohej. Kështu për shembull, janë të panegociueshme e shtuna dhe e diela. Janë për familjen dhe nuk ka asgjë tjetër që mund të më detyrojë të dal në punë ato ditë.
Marrë nga revista “Psikologji”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›