Shqipëria, e 79-të në FIFA
Fitorja e Shqipërisë me Malin e Zi u shoqërua edhe me një lëvizje pozitive në renditjen mujore të FIFA-s, ajo maj 2010. Shqipëria u ngjit një vend në ranglistën botërore të FIFA-s, duke u pozicionuar tani në vendin e 79-të (e 80-ta në prill 2010) me 496 pikë. Në Europë, Kombëtarja jonë është sërish e 39-ta, duke lënë pas 14 vende. Shqipëria dhe Franca janë dy ekipet e vetme që kanë fituar vende në renditje brenda kundërshtarëve tanë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Josip Kuzhe e ka drejtuar Shqipërinë në pesë miqësore dhe deri tani ka koleksionuar 3 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut dhe Mali i Zi) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni). Takimi i parë zyrtar i kuqezinjve në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012-s është me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti. Përsa u përket kundërshtarëve tanë në eliminatoret e Kampionatit Europian, lajmi i mirë është se tani kemi dy skuadra poshtë vetes: Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Franca (1044 pikë) ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, duke ngjitur një vend, tani e 9-ta. Rumania (853 pikë), kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 28-të (asnjë lëvizje këtë muaj). Bosnja (604 pikë) nuk ka lëvizur asnjë vend, sërish në vendin e 51-të. Bjellorusia (397) zbriti sërish një vend, tani në pozicionin e 82-të (-1 vend). Luksemburgu (193 pikë) ndodhet sërish në vendin e 127-të (asnjë lëvizje).
Ekipi Pikë FIFA UEFA LËVIZJA
Franca 1044 9 7 +1
Rumania 853 28 17 0
Bosnja 604 51 28 0
Shqipëria 496 79 39 +1
Bjellorusia 397 82 40 -1
Luksemburgu 193 127 48 0
Miqësore, Shqipëri-Andorra
Më 2 qershor (në Durrës), Kombëtarja e udhëhequr nga Josip Kuzhe do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore në harkun tetë ditëve, ajo kundër Andorrës (vendi i 201-të në FIFA). Në të vetmin takim kundër andorrianëve, kemi humbur 2-0 në vitin 2002, në ndeshjen e fundit të Sulejman Demollarit, njëherësh edhe trajneri i fundit shqiptar, përpara se të vërshonin më radhë, jo pak por pesë të huaj Dosena, Brigel, Bariç, Han dhe ky aktual, Kuzhe.
Brazili, në majë të botës
Renditja botërore kryesohet nga Brazili (1611 pikë), që nga ana e tij ka lënë pas Spanjën (1565 pikë). Vendi i tretë mbahet nga Portugalia (1249 pikë). Holanda dhe Italia ndajnë midis tyre vendet 4 dhe 5. Gjermania ndodhet në vendin e 6-të e ndjekur nga Argjentina, e 7-ta. Anglia e Kapelos, e 8-ta. Në Top-10 përfaqësohet edhe Franca, e 9-ta, ndërkohë që Kroacia zbriti në vendin e 10-të.
Top-3
Ekipi Pikë FIFA UEFA LËVIZJA
Brazili 1611 1 - 0
Spanja 1565 2 1 0
Portugalia 1249 3 2 0
27 Maj 2010