E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton thirrje ndërkombëtarëve për konfliktin mes Koreve



Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton u bëri thirrje ndërkombëtarëve të përgjigjen ndaj fundosjes së anijes luftarake koreanojugore për të cilën fajësohet Veriu. Zonja Klinton i bëri komentet në Seul ku zhvilloi bisedime me presidentin koreanojugor Lee Myung-bak dhe ministrin e Jashtën, Yu Myung-hua në ndalesën e fundit të turneut të saj gjashtë ditor në tre vende të Azisë Lindore. Ajo e cilësoi sulmin e 26 marsit mbi anijen “Cheonan” një provokacion që kërkon një përgjigje të fuqishme, por të matur. Klinton i bëri thirrje gjithashtu Kinës, për të vëzhguar me kujdes dokumentacionin që lidhet me fundosjen e anijes në mënyrë që të kuptojë qartë detajet. Ajo tha se sfida afatgjatë për secilin vend në rajon, përfshi Kinën është të ndryshojë drejtimin e Koresë së Veriut. Në Pekin, zëvendësministri i jashtëm Zhang Zhijun tha se qeveria po vëzhgon me hollësi faktet e incidentit. Kryeministri Uen Jiabao do të shkojë të premten në Seul për një takim të nivelit të lartë me zotin Lee dhe kryeministrin japonez Yukio Hatoytama.

Berlin
Dënohet ish-agjenti gjerman në Kosovë

Një gjykatë në Munih ka dënuar me dy vjet e tre muaj burg, ish-agjentin e Shërbimit federal të zbulimit (BND), Robert K., i cili ishte i angazhuar me mision në Kosovë dhe në Maqedoni. Me dënim burg me kohëzgjatje prej 14 muajsh me kusht, është dënuar edhe ish-përkthyesi, e më vonë i dashuri i tij, Murat A., nga Maqedonia. Ish-agjenti gjerman është dënuar për zbulim të sekretit shtetëror dhe zyrtar. Për tri vite, deri në mars të vitit 2008, ish agjenti Robert K., kishte punuar në zyrën e BND-së në Prishtinë dhe në Ambasadën gjermane në Shkup. Gjatë gjithë kohës, përkthyes i tij kishte qenë, Murat A.

Bruksel
Barroso: “Kriza, jo pengesë anëtarësimin e Ballkanit në BE”

Kreu i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso a deklaruar se kriza ekonomike nuk e pengon zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Bashkimi Europian po synon t’i sigurojë vendet që shpresojnë të anëtarësohen në BE, se zgjerimi do të vazhdojë edhe përkundrejt krizës me borxhe. “Kriza aktuale nuk mund të jetë arsyetim për mosvazhdimin e përpjekjeve tona për bashkimin e familjes evropiane, veçantërisht me vendet e Ballkanit”, deklaroi Barroso. Ai gjithashtu theksoi se BE-ja do ta shtyjë përpara zgjerimin, pas ekzistojnë kritere objektive që u mundësojnë vendeve anëtarësimin.

Rusi
Kritikohet vendosja e raketave “Patriot” në Poloni

Ministria e Jashtme e Rusisë ka kritikuar vendosjen e raketave amerikane Patriot në Poloni, duke thënë se hapi nuk e ndihmon sigurinë apo besimin. Sidoqoftë, në deklaratën e Kremlinit nuk ishte fshehur ndonjë kundërpërgjigje. Bateria mbrojtëse e raketave tokë-ajër, u vendos të hënën në Poloninë veriore afër kufirit me enklavën ruse të Kaliningradit. Zyrtarët amerikanë thonë se bateria në bazën ushtarake Morag ka për synim trainimin e forcave polake. Autoritetet ruse kundërshtojnë fuqishëm vendosjen e raketave në Poloni, duke vlerësuar se ky veprim nuk i shërben stabilitetit.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›