Katar, Xhaferaj bashkëpunim midis dy vendeve në fushën e kulturës
Një delegacion i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, kryesuar nga ministri Ferdinand Xhaferaj, ndodhet për vizitë në Arabinë Saudite që më datën 22 maj. Qëllimi i kësaj vizite është pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare për Trashëgiminë Urbane Islamike dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik e kulturor, e cila po zhvillohet këto ditë në Riad. Konferenca, në të cilën merr pjesë delegacioni ynë zhvillohet në patronazhin e Princit Saudit, Sultan bin Selman Al Saud, njëkohësisht president i Komitetit të Zhvillimit Kulturor në Arabinë Saudite. Ministri Ferdinand Xhaferaj, para se të mbërrinte në Riad, me ftesë të Ministrit të Kulturës, Artit dhe Trashëgimisë së Katarit, Dr. Hamad bin Abdulhaziz Al Kuëari, ka bërë një vizitë zyrtare në Doha. Këtu ai është pritur me nderime të veçanta nga Ministri Abdulhaziz Al Kuëari, me të cilin ka zhvilluar një takim të miqësor. Por bisedimet midis dy ministrave kanë vijuar gjatë një darke, të cilën ministri i Katarit e ka shtruar për nder të Ministrit Shqiptar, Xhaferaj. Përveç të tjerash ministri Xhaferaj ka falenderuar homologun e tij të Katarit për investimin e rëndësishëm të firmës së këtij vendi, OMNIX Group në Shqipëri. Investimi i kësaj kompanie prej 2 miliard e 400 milionë dollarësh është vlerësuar nga të dy palët si një nxitje e madhe për investitorë të tjerë në fushën e turizmit në Shqipëri. Të njëjtat falënderime ka bërë ministri shqiptar edhe në selinë e kompanisë OMNIX në Doha, ku është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me drejtorin ekzekutiv të kësaj korporate, Bassam Abu-Issa. Takimet dhe bisedimet me autoritetet e Katarit kanë vendosur një dimension të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve në fushën e kulturës. Ministri i Katarit ka siguruar Ministrin Xhaferaj se marrëdhëniet e të dy vendeve do të njohin zhvillime të reja cilësore, duke përmendur faktin se këto marrëdhënie do të konkretizohen në një marrëveshje të re në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore, e cila do të nënshkruhet muajin e ardhshëm nga Emiri i Katarit dhe Kryeministri i Shqipërisë, Berisha. Ndërkaq ministri Abdulhaziz Al Kuëari ka premtuar se në vjeshtë do të bëjë një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës të dy vendet do të konkretizojnë përpjekjet e përbashkëta për zhvillim e bashkëpunim të ndërsjellët. Prej kryeqytetit të Katarit, Doha, delegacioni ka udhëtuar më pas në Riad të Arabisë Saudite, i ftuar nga Princi Sulltan. Pjesmarrja në Konferenncën ndërkombëtare ishte qëllimi i kësaj vizite, por Ministri Shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Xhaferaj, ka shfrytëzuar rastin për takime dhe bisedime të shumta me autoritetet e Arabisë Saudite. Vetë Princi Sulltan Bin Salman Al Saud, i cili vlerësohet se do të jetë njëkohësisht pasardhës i fronit mbretëror, ka rezervuar një pritje të veçantë dhe shumë miqësore për Ministrin Xhaferaj. Ai i ka rezervuar vendin e nderit në ceremonitë e shumta zyrtare Ministrit Shqiptar në të gjitha veprimtaritë në Konferencë e jashtë saj. Informacionet e ndërsjellat për të dy vendet dhe zhvillimet e mëtejshme në fusha të ndryshme, sidomos në atë të kulturës, ishte tema e diskutimeve dhe bisedave. Princi Sulltan bin Salman Al Saud i siguroi Ministrit Xhaferaj, për mbështetje të gjithanshme për zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Shqipëri. Ai premtoi se do të nxisë biznesin e vendit të tij që të investojë në fushën e turizmit dhe ka vlerësuar përparimet e Shqipërisë në zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore. Ndërkaq ai me kënaqësi ka pranuar ftesën e ministrit Xhaferaj që në një të ardhme të afërt të vizitojë Shqipërinë ku Princi Sulltan është treguar entuziast se këtë vizitë do ta zhvillojë më së shumti në shtator ose tetor. Në takimin me Ministrin e Kulturës dhe Edukimit të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Abdullah bin Mohamed, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Xhaferaj, mori mbështetjen nga pala Saudite për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore midis dy vendeve. Ndër të tjera Ministri Saudit premtoi mbështetjen financiare të vendit të tij për zhvillimin e disa projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe promocionit shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
27 Maj 2010