Real Madrid: “Murinjo, lideri i duhur”
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, deklaroi se Hoze Murinjo do të jetë trajneri i ri, sapo portugezi të zgjidhë problemet me Interin, me të cilin është ende nën kontratë.
MURINJO
“Tani jam më pushime, më pas do të shkoj të punoj në Spanjë”. Kjo është fjalia e vetme e dalë nga goja e Hoze Murinjos. Trajneri portugez e bëri deklaratën pas largimit së bashku me përfaqësuesin e tij, Jorge Mendez, nga zyra e “ministrit të financave” të Interit, Rinaldo Ghelfi, ku diskutoi për divorcin midis Interit dhe teknikut, që i dhuroi tre trofe brenda një sezoni, përfshirë edhe Ligën e Kampioneve.
TRATATIVAT
Gjërat, në fakt, u komplikuan gjatë 24 orëve të fundit për kalimin nga Inter te Real Madrid të trajnerit portugez, Hoze Murinjo. Inter do 16 milionë euro për prishjen e kontratës së trajnerit. Dje në Milano, drejtuesit zikaltër janë takuar me një të dërguar të Real, e në të takim i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Murinjos, Jorge Mendes. Sipas gazetës spanjolle “Marca”, presidenti i Interit, Morati kishte propozuar një “paketë”: Murinjo, Maikon dhe Kuarezma te Real Madrid në shumën prej 35 milionë eurosh.
PELEGRINI
Real Madrid shkarkoi trajnerin Manuel Pelegrini dhe pritet nga ora në orë ta zëvendësojë atë me Hoze Murinjon, menjëherë sapo të arrihet marrëveshja me Interin rreth përfundimit të kontratës së portugezit me klubin italian të Serisë A. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, tha gjatë një konference për shtyp se vendimi i bordit të klubit tashmë është marrë. “Ne jemi të bindur se ne kemi nevojë për një impuls të freskët dhe ne jemi të bindur se Hoze Murinjo është personi i duhur për ta punësuar”, - tha Perez.
FIFA: “Kërcënimet e “Al Kaedës”, një blof
Vlerësimin e bëri sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke
Kërcënimet e vazhdueshme të “Al Kaedës” për plane atentatesh gjatë Kampionatit Botëror të Afrikës së Jugut janë vetëm një “blof”. Vlerësimin e bëri sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, të cilit i referohet agjencia e lajmeve afrikanojugore, “Sapa”. Ditët e fundit, burime nga sigurimi irakien kishin pohuar se një celulë saudite e “Al Kaedës”, e kryesuar nga Abdullah Azam Saleh al-Qahtani, kishte planifikuar për të kryer një sërë atentatesh në Botërorin e Futbollit.
27 Maj 2010