Argjentina ka dështuar

Mesfushori Javier Mascherano u tregua i sinqertë dhe pranoi se Argjentina ka dështuar tërësisht në vitet e fundit, ndërsa theksoi se faji është i futbollistëve e jo i trajnerëve që kanë kaluar në ekip.
Gjiganti nga Amerika e Jugut e fillon fushatën kualifikuese për Kampionatin botëror 2014 pas dy javëve me ndeshjen kundër Kilit, që do të jetë përballja e parë zyrtare pas eliminimit dëshpërues në çerekfinale të Copa Americas në korrik.
Ajo humbje nga Uruguai i kushtoi Sergio Batistas me shkarkim nga posti i selektorit, por ish kapiteni Mascherano e mori fajin te vetja dhe bashkëlojtarët e tij. “Nëse futbollistët nuk funksionojnë, trajnerët nuk janë magjistarë. Kam tetë vite që luaj në ekipin kombëtar dhe kam pasur gjashtë trajnerë. Është çmenduri”, tha Mascherano gjatë një interviste për Clarin.
“Ne e dimë se jemi duke dështuar. Nuk mund të vazhdojnë të thonë se është duke filluar një cikël i ri ose gjëra të tilla. Tingëllon e përsëritshme. Është koha të flasim më pak, të ulim kokat poshtë dhe të punojmë. Kualifikimet fillojnë tani dhe duhet të përqendrohemi”, përfundoi 27 vjeçari.