Napoli insiston për Shaqirin
Pas afatit të ardhshëm kalimtar të janarit, në Serie A të Italisë pritet të aktivizohen shumë futbollistë shqiptarë, si asnjëherë më parë.
Përveç Lorik Canës (Lazio), Valon Behramit (Fiorentina), Samir Ujkanit, Rijat Shalës (Novara), Përparim Hetemajt (Chievo), Erjon Bogdanit (Cesena) e Blerim Xhemajlit (Napoli), Xherdan Shaqiri mund të bëhet futbollisti i tetë shqiptarë që aktivizohet në rangun më të lartë të futbollit italian.
Sipas medieve italiane, Napoli – që kohë më parë pati shfaqur interesim për shërbimet e mesfushorit kosovar - tashmë e ka shtuar akoma më shumë interesimin për 19 vjeçarin nga Gjilani.
Drejtori sportiv i Napolit, Riccardo Bigon, sipas medieve italiane, po punon seriozisht rreth transferimit në skuadrën e tij nga Baseli të reprezentuesit zviceran. Sipas medieve, 15 milionë euro do t’i mjaftonin Napolit t’i shpenzojë për ta bindur Baselin që ta lirojë para kohe nga kontrata yllin e ri. Kështu Shaqiri në Napoli do t’i gjente dy shokët e përfaqësueses zvicerane Gokhan Inlerin, përkatësisht bashkëkombësin e tij, Blerim Xhemajlin.
Përveç Napolit, për yllin kosovar me pasaportë zvicerane thuhet se interesim serioz kanë shprehur edhe Milan, Juventus, Roma, Lazio dhe shumë skuadra tjera të njohura evropiane, si nga Anglia e Gjermania.