Tifozë, femra dhe fëmijë

Federata turke e Futbollit ka gjetur një zgjidhje radikale për luftimin e huliganizmit, duke i dënuar meshkujt nga stadiumet. Ekipet e sanksionuara për sjellje të dhunshme të tifozëve në vend se të zhvillojnë ndeshjet pa tifozë, lejohen të mirëpresin femra dhe fëmijë nën moshën 12 për të përcjellë takimet.
Të martën, më tepër se 41 mijë femra dhe fëmijë përcollën ndeshjen e Fenerbahces kundër Manisasporit në Stamboll. Vendimi ishte marrë pas dhunës që përshkoi një ndeshje “miqësore” të Fenerbahces në muajin korrik. Skuadra nga Stambolli fillimisht ishte udhëzuar të zhvillonte dy ndeshje në shtëpi prapa dyerve të mbyllura, pasi tifozët kishin bërë invazion në fushë gjatë ndeshjes kundër kampionit të Ukrainës, Shakhtar Donetsk.
Por, autoritetet turke të futbollit më pas e zbutën qëndrimin e tyre dhe vendosën që vetëm femrat dhe fëmijët mund t’i përcjellin takimet. Barazimi 1-1 i Fenerbahces me Manisasporin filloi pasi futbollistët e të dyja skuadrave dhuruan lule për tifozët, ndërsa mysafirët u pritën me duartrokitje në vend të vërshëllimave të zakonshme.
Kapiteni i ekipit vendas, Alex de Sousa, tha: “Ky kujtim do të mbetet me mua përgjithmonë. Nuk ndodh gjithmonë të shihni aq shumë femra dhe fëmijë në një ndeshje futbolli”. “Duhet t’u falënderohemi vajzave që kanë ardhur për të na përkrahur”, shtoi bashkëlojtari i tij Joseph Yobo, (i huazuar nga skuadra e Premierligës, Everton) për Lig TV. “Është vështirë të luani pa tifozë”, u shpreh ai.
Mesfushori i Manisasporit, Omer Aysan u pajtua: “Ishte kënaqësi të luhet në një atmosferë aq miqësore”. Para ndeshjes, tifozët u kontrolluan nga policet femra para hyrjes në stadium. Para fillimit të takimit, Yasemin Mercil, anëtare e bordit ekzekutiv të Fenerbahces, tha: “Kjo është një ditë historike. Për herë të parë në botë vetëm femrat dhe fëmijët do të shikojnë një ndeshje. Femrat i dinë këngët. Himnet janë të njëjta, do të këndohen të njëjtat këngë”.