E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina në çerekfinalepor sërish gafa arbitrash

JOHANESBURG- Argjentina ka kaluar në çerekfinale të kampionatit botëror, duke mposhtur 3-1 Meksikën, në një tjetër takim të mbushur me gabime arbitrale. Skuadra e Maradonës nuk ka hasur shumë probleme përballë meksikanëve, të cilët kanë luajtur vetëm në 25 minutat e para, ndërsa më pas i janë dorëzuar kundërshtarit. Por, edhe në këtë takim ajo që shkaktoi më shumë diskutime ishte vendimi i arbitrit anësor, i cili akordoi një gol në pozicion jashtë loje të Karlos Tevez. Bëhej fjalë për një gol të rëndë, pasi në ato momente rezultati ishte 0-0 dhe Meksika po zhvillonte një lojë të bukur. Tevez ishte të paktën 3 metra i avancuar, por anësori italian ka lejuar vazhdimin e lojës. Më pas, pati një diskutim të gjatë, pasi u duk se ai e anuloi, por lojtarët argjentinas i bënë me shenjë se e kishte parë atë nga ekranet dhe se në fillim nuk akordoi asgjë. Kjo bëri që edhe arbitri Rozeti të mbante vendimin e parë, pra të lejonte golin, megjithëse mes protestave të shumta të meksikanëve. Pas këtij momenti, çdo gjë u bë më e lehtë për skuadrën e Maradonës, e cila e kontrolloi totalisht ndeshjen, ndërkohë që kundërshtarët u treguan jo pak nervozë në fushën e lojës.
SFIDA
Ndeshja e mbrëmshme nisi me një Meksikë shumë sulmuese dhe me një Argjentinë të kujdesshme. Skuadra e Agirres tentoi me goditjet nga larg, por portieri Romero është treguar i saktë në ndërhyrjet e tij, ndonëse në një moment u ndihmua nga traversa. Momenti deciziv ishte minuta e 26-të, kur Karlos Tevez arrin të shënojë me kokë në pozicion jashtë loje pas një goditje të Mesit. Goli u quajt i rregullt, ndërkohë që ky moment i nervozoi tej mase meksikanët. Në minutën e 33-të, Gonzalo Higuain shënoi golin e dytë për Argjentinën, pas një gafe të mbrojtësve të Meksikës. Sulmuesi i Realit shmangu edhe portierin, duke finalizuar qetësisht golin e tij të katërt në këtë Botëror. Ndeshja më pas hyri në rrjedha të qeta, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë u pa në fushë një Meksikë disi më sulmuese. Por, nuk kaluan as 7 minuta dhe Karlos Tevez shënoi golin e tij të dytë në këtë takim, me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zonës, duke befasuar portierin Oskar Perez. Pas këtij momenti, Meksika u hodh në sulm me forcën e dëshpërimit dhe në minutën e 71-të arriti të gjente golin me anë të mesfushorit Hernandez. Një gol që i vlejti vetëm atij, pasi deri në fund shifrat nuk ndryshuan, megjithë tentativat e Mesit për t’u zhbllokuar. Argjentina do të ndeshet të premten me Gjermaninë në çerekfinale.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Gjermania “dhunon” Anglinë e Fabio Kapelos Rezultatet live ne faqen e FIFA-s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›