E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati në shembje banesat më të vjetra të Elbasanit

27/06/2010 Banorët jetojnë nën rrezikun e vazhdueshëm

ELBASAN-Një nga pallatet e vjetra trekatëshe me çati ka çeduar një ditë më parë duke rrezikuar jetën e banorëve në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit. Sipas banorëve, çatia e vjetër ka qenë e dëmtuar dhe për pasojë do vinte një ditë që do të binte, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima. Pallatet e vjetra në këtë lagje të ndërtuara gati 80 vjet më parë do të zëvendësohen nga të reja të projektuara në planin rregullues të qendrës së qytetit, por deri në realizimin e projektit banorët duhet të jetojnë tek godinat e vjetra. Sipas njërës prej banorëve, ajo ka qenë duke dalë nga shtëpia kur është shembur çatia. Gruaja i ka kërkuar ndihmë kryetarit të bashkisë për të meremetuar çatinë deri në realizimin e projektit. Banorët thonë se ndjehen çdo ditë të rrezikuar dhe i kërkojnë bashkisë dhe shtetit të ndërhyjë sa nuk është vonë. Në thirrjen e tyre drejtuar kryebashkiakut kanë kërkuar të konsiderohet jeta e njeriut që është më e rëndësishme sa një shesh apo shatërvan. Pallatet e vjetra trekatëshe me çati janë edhe më të vjetrat në qytetin e Elbasanit. Ato kanë shfaqur probleme prej vitesh si me lagështirën ashtu edhe me rrëshqitjet. Megjithëse janë miratuar pallate të reja në vend të atyre aktuale, disa prej familjeve për shkak të të ardhurave e kanë të pamundur një investim që do të sillte apartamente të reja për ta. Ndërsa ato aktualet janë në rrënim të vazhdueshëm, shenja e parë e rrezikut u shfaq një ditë më parë me shembjen e çatisë së një prej këtyre objekteve të vjetra. Edhe pse nën rrezik, familjet që jetojnë nën ndërtesën që i është shembur çatia nuk janë larguar. Ata thonë se s’kanë asnjë mundësi tjetër strehimi dhe nuk largohen dot nga aty. E vetmja zgjidhje sipas tyre është riparimi i çatisë me ndihmën e pushtetit vendor ose një fond emergjent nga shteti. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›