E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti policin në vitin 2000, zbulohet autori

27/06/2010 Pas 10 vitesh Prokuroria identifikon Sajmir Lamën. Vodhi me armë 62 mijë franga zvicerane

Si i zunë rrugën dhe grabitën, lekët, rrobat dhe pistoletën e shërbimit policit Maksim Male

TIRANE- Një ngjarje e ndodhur dhjetë vjet më parë në vendin e quajtur “Kthesa e Kasharit”, ku u grabit me armë efektivi i policisë së Krujës, Maksim Male, dhe familja e tij, është mundur të zbardhet nga Prokuroria e Tiranës. Gjatë dhjetë viteve hetime dhe krahasime të gjurmëve daktiloskopike të gjetura në njërin nga xhamat e makinës ku udhëtonte polici Male, prokurorët kanë arritur të identifikojnë njërin nga katër personat që në datën 24 mars 2000 rreth orës 16:00 i kanë grabitur atij 62 mijë franga zvicerane, pistoletën e shërbimit tip “TT”, si dhe disa valixhe më rroba të ndryshme si: Pantallona, fustane, këpucë e etj, të sjella nga Zvicra. Si autor i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Sajmir Lama 39 vjeç banues në fshatin Domje të komunës Bërxull, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Ndaj këtij të fundit pak ditë më parë Prokuroria kreu një kontroll në banesë, ku mundi të sekuestrojë një sërë veshjesh, çantash dhe valixhesh, sende këto që do ballafaqohen me memorien e personave të grabitur.

Hetimi

Gjatë hetimeve të kryera për llogari të procedimit nr. 459 të vitit 2000 është arritur të provohet se në datën 24 mars 2000, rreth orës 16: 00, përgjatë rrugës nga Rinasi në Tiranë, në vendin e quajtur “Qafa e Kasharit” shtetasit, Maksim Male, i cili ishte drejtues dhe pronar i mjetit tip Fiat Uno, me targë TR 9798 C, dhe dy pasagjerët Eklant Rrahmanlliu dhe Marsela Male janë vjedhur me armë nga katër persona. Këta të fundit i kanë zënë rrugën makinës së të dëmtuarve me një makinë të tipit Renault. Autorët kanë hapur dyert e makinës Fiat Uno, me targë TR 9798 C dhe i kanë marrë një valixhe dhe dy çanta dhe një xhup lëkure shtetases Marsela Male, kjo e fundit bashkëshortja e efektivit të policisë së Krujës. Ditën e ngjarjes Marsela Male kishte ardhur nga Zvicra për në Tiranë ku jetonte me bashkëshortin e saj. Gjatë grabitjes autorët i kanë marrë armën shtetasit Maksim Male, pistoletën “TT”, të cilën e mbante për shkak të detyrës, si punonjës në komisariatin e policisë Krujë. Mësohet se në valixhe dhe në dy çantat shtetasja Marsela Male ka pasur 62 mijë franga zvicerane, veshje të saj, si pantallona, xhupa, triko, fustane, këpucë, çantë, të cilat i ka shpjeguar me hollësi në deklarimin e dhënë pas ngjarjes. Fill pas ngjarjes katër autorët janë larguar me shpejtësi me makinën tip “Renault”, duke mos i dhënë mundësi efektivit të policisë, bashkëshortes dhe pasagjerit tjetër, që t’i dallonin fytyrat grabitësve. Ata kanë lajmëruar policinë, por kjo e fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të merrte dëshmitë e personave të dëmtuar, pasi për identifikimin e grabitësve nuk disponohej asnjë provë.

Precedenti “Dritan Dajti”

Mungesa e uniformës me mbishkrim “Policia” i kushtoi shtrenjtë katër policive në Durrës, të cilët u ekzekutuan nga Dritan Dajti, me pretekstin se ky i fundit nuk kishte arritur t’i dallonte se çfarë ishin grabitës apo policë. E njëjta gjë është përsëritur edhe në operacionin “Servis”, ku vetëm njëri nga gjashtë agjentët mbante jelek me mbishkrimin “Policia”. Ndërkohë që të tjerët nuk kuptoheshin se çfarë ishin.

Sekuestrohen 26 kg hashash

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, si dhe 26 kg drogë e llojit hashash është sekuestruar në tentativë për t’u tregtuar në tregun e brendshëm të kryeqytetit. Personat e ndaluar quhen Fatjon Balla dhe Denis Duka që të dy nga fshati Shëngjergj i Tiranës, të cilët kishin planifikuar që të përfitonin 13 mijë euro. Nga hetimet e kryera është arritur të provohet se të sipërcituarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mundur të sigurojnë një sasi lënde narkotike prej 26 kg dhe ta transportojnë atë në drejtim të Tiranës, destinacion ky ku dhe hashashi do të shitej në zonën e “Kinostudios”, “Bërrylit”, si dhe në zona të tjera. Në dijeni të kësaj veprimtarie ishin vënë agjentët e policisë që dje finalizuan me sukses operacionin “Dajti”, ku gjatë ndërhyrjes në fshatin Linzë Dajt arrestuan në flagrancë dy autorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›