E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktet për pronën, zihen 2 vëllezër e kanoset një grua

27/06/2010 Rastet në Elbasan dhe Durrës. Fenomeni, i theu xhamat banesës së vëllait nga inati

ELBASAN-Grindja mes vëllezërve për pronën ka sjellë reagimin e njërit prej tyre duke i shkatërruar shtëpinë tjetrit. Ngjarja ka ndodhur një natë më parë kur shtetasi Beqir Subashi 42 vjeç pas grindjeve me të vëllain, i ka dëmtuar shtëpinë duke i thyer xhamat e banesës 49-vjeçarit Subashi.

Konflikti

Familjet Subashi me banim në Papërr kanë pasur edhe konflikte të mëparshme pronësie, por jo deri në shkatërrim shtëpie. Në ngjarjen e fundit konflikti që kishte nisur për ndarjen e tokës mes tyre ka vazhduar prej kohësh, por një ditë më parë grindja nuk ka mbetur vetëm me fjalë. Kur ka debatuar me të vëllain, 42-vjeçari i inatosur ka marrë gurë e mjete të tjera rrethanore, duke thyer xhamat e shtëpisë. Kjo ngjarje nuk ka mbetur vetëm në familje, pasi është lajmëruar policia. Pasi kanë konstatuar dëmet agjentët e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë kanë vendosur procedimin në gjendje të lirë të vëllait grindavec. Vepra penale për të cilën ai do të përgjigjet është shkatërrim prone. Konfliktet për pronën mes të afërmve dhe familjarëve janë të shpeshta sidomos në zonat rurale. Në 80% të rasteve konflikti i mprehtë është prona, ndarja e padrejtë, përkatësia e një pjese dhe kufijtë. Këto sherre kanë shkaktuar edhe viktima mes familjarëve.

Ndërkohë në Durrës ka pasur një tjetër konflikt për pronën. Babë e bir kanë dhunuar e kanosur me jetë një grua të moshës 65 vjeç, e cila ka kërkuar ndihmën e policisë. Fahri e Fatri H. njëri 42 vjeç dhe i biri 20 vjeç lindur në Librazhd dhe banues në Shkozet kanë ushtruar dhunë në banesën e shtetases E. L 65 vjeçe në lagjen numër 8 të qytetit. Konflikti ka ardhur si pasojë e një grindje të ndodhur për pronësinë e banesës. Palët janë në konflikt ligjor, por ende nuk ka një vendim gjykate për këtë pronë, ndërkohë që konflikti mes tyre është acaruar kohët e fundit. Po dje dy persona me inicialet J.C dhe I.P të moshës 30 vjeç dhe 20 vjeç kanë kanosur shtetasin Z. M 40 vjeç nga Xhafzotaj. Edhe në këtë rast sherri ka të bëjë me pronësinë, por këtë herë me pronësinë për tokë. Agresorët dhe viktima e tyre janë nga Puka me banim në Xhafzotaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›