Argjentina nuk fal Greqinë, kualifikohet Koreja e Jugut
Argjentina dhuroi spektaklin e radhës në Boteror duke mundur Greqinë, duke fituar 2-0 me gola të Martin Demikelisit dhe Martin Palermos, duke koleksionuar fitoren e tretë në po aq ndeshje, 9 pikë të plota, dhe duke nxjerrë jashtë Botërorit të Afrikës së Jugut, Greqinë, që shpresonte në një bamirësi të formacionit të Diego Armando Maradonës. Greqia dhe Nigeria iu bashkuan Afrikës së Jugut dhe Francës.
Argjentina sulmoi gjatë gjithë kohës, por gjeti një mbrojtje të ngjeshur të Greqisë. Diego Milito nuk arriti të lerë gjurmën e tij, pavarësisht se sulmuesi i Interit pati disa raste. Golin e parë për Argjentinën e shënoi Martin Demikelis në minutën e 77-të.
Lionel Mesi edhe pse nuk ka shënuar ende në këtë botëror, ndihmoi skuadrën e tij teksa goditi fuqishëm shtyllën disa minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Veterani argjentinas, Martin Palermo, njeriu që e çoi vendin e tij në Afrikën e Jugut shënoi minutën e 88-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar. Argjentina shfaqet kështu si fuqia më e madhe futbollistike deri tani në këtë botëror.
Ndeshja midis Nigerisë dhe Koresë së Jugut ishte mbushur plot me emocione dhe gola, nga dy për çdo ekip, një takim i mbyllur në barazim 2-2 e që çoi koreanët në fazën tjetër të Botërorit.
Nigeria kaloi në avantazh me Kalu Uçen në minutën e 12-të, goli i tij i dytë në botëror. Koreja e Jugut barazoi 1-1 me Jung-Soo Lee në minutën 38-të me kokë, ndërkohë që Chu-Young Park kaloi në avantazh koreanët në të 49’ më një supergjuajtje nga goditja e lirë. Aiyegbeni Yakubu barazoi me penallti për nigerianët më minutën e 69-të. Në fazën me eliminim direkt, Argjentina do të përballet me Meksikën e vendit të dytë në grupin B, ndërsa Koreja e vendit të dytë në grupin B do të përballet me Uruguain e vendit të parë në grupin A.
RAUNDI I NJË TE TËTAVE
Argjentinë-Meksikë
Uruguai-Koreja e Jugut
23 Qershor 2010