Luan Bexheti, aktori shqiptar sukses në Hollivud
Luan Bexheti, producenti e aktori i njohur nga Tetova, gjatë një interviste rrëfen jetën e dhe karrierën e tij artistike për publikun shqiptar. Ai është një ndër emrat që ka prekur me elegancë skenën Hollivudiane përkrah emrave të njohur të aktrimit.
Kulmi i deritashëm i karrierës së Bexhetit mund të quhet pjesëmarrja në shfaqjen televizive “Majkëll Mur live” të regjisorit Majkëll Mur, i cili fitoi çmimin e parë të Kanës me filmin dokumentar kushtuar ngjarjeve të 11 shtatorit në Amerikë, “Farenhajt 9/11”.
Luan Bexheti ka lindur në Odri afër Tetovës, në Maqedoni, më 11 gusht 1972. Në moshën katërvjeçare familja e tij largohet drejt Norvegjisë, ku aktori shqiptar shkon çdo vit me pushime. Ndërsa pushimet verore Luani i kalon në Tetovë, ose në ishujt Karaibe. Ai jeton në Nju-Jork që nga viti 1995, ku dhe ka kryer studimet në institutin e njohur të teatrit “Lee Strasberg”. Para disa vitesh është përfshirë në librin “Actors handbook”, për metodën e Stanisllavskit “The Method”, të cilën e ka studiuar në Lee Strasberg Institute. Karriera e tij artistike si aktor evidentohet në mjaft filma shqiptarë e të huaj. Aktori është bërë i njohur te filmi “Maree”, një prodhim shqiptaro-italian i regjisorit italian Xhejms Pellerito. Ky film ka marrë vlerësimet maksimale gjatë viteve 2003-2004, duke fituar çmim në Festivalin e Nju-Orleansit, në Festivalin e Tiburonit, me çmimin “Federico Fellini”, në Festivalin në Los Anxhelos, ndërsa në Festivalin e Filmit Amerikan është shpallur filmi më i mirë me metrazh të shkurtër. Dokumentari i Bexhetit ka konkurruar në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe e ka bërë emër të njohur aktorin e regjisorin shqiptar nga Tetova. Luan Bexheti është i vetmi aktor shqiptar që është përfshirë në antologjinë për aktorë “Actor`s Handbook”, shkruar nga Sherry Eaker. Megjithatë, shqiptarë ose jo, këta janë më së shumti artistë të Hollivudit, sepse sipas dëshmisë së Luanit: “Nuk është e thënë që të jetosh patjetër në Hollivud për të qenë pjesë e tij”.
Përshëndetje Luan, fillimisht lexuesi shqiptar do t’ju njohë pak më shumë. Nga jeni, cila është familja juaj dhe jeta e tanishme në Nju Jork?
Kam lindur në Odri, një fshat piktoresk disa kilometra në periferi të
Tetovës. Baba im ka qenë mësues gjatë gjithë jetës së tij dhe nëna ime ka qenë në shtëpi pasi ka pasur gjashtë fëmijë.
Sa kohë keni që jetoni në SHBA, pse jeni larguar nga “vendlindja” e juaj, Norvegjia?
Në Nju Jork jetoj prej vitit 1995 kur kam ardhur të studioj film dhe
teatër. U largova nga Norvegjia se nuk isha i lumtur atje me kohën dhe me punën. Në Norvegji nuk ka shumë punë në role për aktorët me pamje ashtu si e kam unë. Rolet janë të ndara më shumë vetëm biondeve norvegjeze dhe unë nuk kisha kohë dhe dëshirë të merresha dhe të çaja kokën me norvegjezët shumë. Plus fakti që desha të krijojë karrierë në Amerikë pasi nëse ke sukses në Nju Jork atëherë e gjithë bota e di se kush je.
Si ka lindur pasioni juaj për aktrimin?
Pasioni i aktrimit lindi kur unë rastësisht u zgjodha të realizoj një reklamë për kompaninë shtetërore të trenave norvegjez "NSB". Në këtë reklamë luajta rolin e një kuzhinieri italian që punonte në trenin luksoz që udhëtonte në Norvegji.
Kur keni marrë pjesë për herë të parë në një xhirim filmi?
Herën e parë kam marrë pjesë në një film me titullin “North Star” (Ylli i Veriut) dhe kjo ka qenë në vitin 1994 në Oslo. Në këtë film luajta një personazh spanjoll.
Çfarë do të thotë për ju, si aktor shqiptar, të jeni i mirëpritur edhe ndërkombëtarisht?
Normal jam shumë i lumtur kur më mirëpresin në skenën ndërkombëtare se ne si shqiptarë kemi nevojë t’ju tregojmë botës se kush jemi dhe nëse na jepet mundësia ne jemi të mrekullueshëm në të gjithë profesionet.
Keni marrë pjesë në ndonjë projekt shqiptar?
Kam marrë pjesë në shumë projekte shqiptare dhe njëra prej tyre ka qenë videoja e këngës “Bindem” e këngëtarit Shkumbin Ismajli ku kam aktruar dhe kam punuar edhe si co-producent. Shkumbini është një këngëtar i mrekullueshëm dhe jam shumë i lumtur që kam pasur mundësi të bashkëpunoj me një këngëtar të nivelit të lart sikur është ai.
Jeni shqiptari i parë që merrni pjesë në një video lojë, të njohurën "Grand Theft Auto 4". Këtu ju luani një zë gangsteri shqiptar. A mund të na tregoni më gjerësisht rreth këtij angazhimi?
Në lojën "GTA4" kam luajtur një gangster shqiptar dhe ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua sidomos kur loja arriti të fitojë më shumë se 600 milionë dollarë vetëm javën e parë që ishte në shitje në tregun botëror. Unë kam qenë aktori i parë shqiptar që kam fituar rol në këtë lojë dhe pastaj i kam njoftuar edhe disa kolegë të tjerë, po shqiptarë.
Ju jetoni në SHBA, vend ku jetojnë shumë shqiptarë. Është përshtypje e përgjithshme se imazhi i shqiptarëve të atjeshëm në dhjetëvjetëshin e kaluar nuk ishte shumë i mirë. A mendoni se tani ky imazh ka filluar të përmirësohet?
Ne jemi afër 1 milionë shqiptarë në Amerikë dhe me siguri që disa prej një milionit nuk janë persona të mirë por përgjithësisht ne Shqiptarët e Amerikës jemi të mirë dhe imazhi është përmirësuar ndjeshëm.
Duke qenë shqiptari i vetëm i cili është përfshirë në antologjinë, apo doracakun për aktorë "Actor´s Handbook". A mund të na thoni për çka bëhet fjalë në këtë antologji dhe si ndodhi që të përfshiheni këtu?
“Actor's Handbook" është një libër për aktorët që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë. Unë pata dhënë një intervistë rreth teknikës së aktrimit në stilin rus të Stanilavskit. Pastaj ato e vendosën të botojnë edhe në libër.
Na tregoni, se çfarë ju ka lënë përshtypje më shumë, kinemaja apo teatri?
Kinemaja më pëlqen se e xhiron një film dhe pastaj mund ta shikosh shumë herë. Ndërsa në teatër jam më i lumtur si aktor se vetëm atëherë e ndej veten të gjallë dhe krijues.
23 Qershor 2010