Gjen restaurimin mozaiku i rrallë në Apoloni
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve kanë marrë përsipër restaurimin e një prej mozaikëve më të rrallë të Apolonisë. Prej disa vitesh ky mozaik ka qenë në harresë dhe ka arritur një shkallë degradimi të madhe.
Restaurimi po bëhet i mundur nga eksperti i mozaikëve, Agron Islami, ndërkohë që ekspedita franko- shqiptare ka në proces studimi elementet e dal në dritë nga gërmimet e vitit të kaluar. Procesi i restaurimit ka të bëjë me rivlerësimin e kësaj hapësire të periudhës romake si dhe me kthimin e saj të vizitueshme për publikun. “Paralelisht me studimin me Institutin e Monumenteve kemi nisur restaurimin e shtëpisë së madhe romake që ndodhet pak metra larg nga këtu. Është një restaurim i rëndësishëm sepse kontribuon në rivlerësimin e parkut arkeologjik të Apolonisë. Është një mëkat që deri më tani nuk i është dhënë rëndësia e duhur këtij monumenti të madh. Aktualisht ne kemi filluar pastrimin, por ne e kemi gjetur krejtësisht të mbuluar me dhera e kështu turistët që vinin nuk shikonin asgjë” pohon Jean-Luc Lamboley, bashkëdrejtor i Ekspeditës franko-shqiptare. Mozaiku me peristil është zbuluar në vitin 1959 gjatë gërmimeve shqiptaro- sovjetike dhe i përket periudhës romake, shekulli i II- III, pas Krishtit. Restauruesi Islami thotë se e vetmja ndërhyrje restauruese është bërë diku në vitet ’80, por me pas nuk është ndërhyrë dhe mozaiku paraqiste dëmtime të shumta nga kushtet atmosferike dhe të bimësisë së zonës. Ajo mban motive gjeometrike që ishin tipike në oborret e periudhës i rrethuar nga mure të larta të ruajtura mirë. Mozaiku së shpejti do të bëhet i vizitueshëm për turistët duke i dhënë kështu Apolonisë një tjetër vend për të vizituar dhe shijuar nga antikiteti. Ndërkaq ekspedita franko-shqiptare do të ketë një tjetër fushatë gërmimesh në muajin gusht.
Java e Filmit Spanjoll mbyllet me filmat “Sud Express” dhe “Atë që di për Lolën”
Në kuadrin e Javës së IX të Kinemasë Spanjolle: Europa në ekran, të enjten me datë 22 qershor në ora 19.00 në Kinemanë Imperial të Hotel Sheraton Tirana, do të projektohet filmi “Sud Express” (2005) me regji të Chema de la Peña dhe Gabriel Velázquez.
Filmi është një kryqëzim jetësh ku gjashtë histori njerëzish anonimë ndërthuren përgjatë rrugës së trenit që shkon nga Parisi në Lisbonë. Me anë të protagonistëve të këtij udhëtimi përgjatë jugperëndim të Europës eksplorohen ngjashmëritë dhe diferencat e mëdha, në këtë moment kritik që po kalon Kontinenti i Vjetër. Është një film vital sepse treni gjithnjë ka ofruar këtë gjë : emocione në lëvizje. Si mbyllje e Javës së IX të Kinemasë Spanjolle: Europa në ekran, të enjten me datë 23 qershor në ora 19.00 në Kinemanë Imperial të Hotel Sheraton Tirana, do të projektohet filmi “Atë që di për Lolën” (Lo que sé de Lola, 2006) me regji të Javier Rebollo, fitues i Festivalit Ndërkombëtar të Kinemasë të Tiranës 2009 me filmin e tij Gruaja pa piano.
Filmi portretizon historinë e Leonit, një njeriu të vetmuar që nuk punon dhe nuk lidhet me asnjeri. Vetëm kujdeset për të ëmën e sëmurë derisa ajo vdes. Për të thyer vetminë e tij , i pëlqen t´u vjedhë postën komshinjve, të dëgjojë bisedat e njerëzve, të ndjekë vajtje ardhjet e njerëzve në një stacion të vogël treni. Një ditë Dolores, një spanjolle e zhurmshme, shkon të banojë aty afër dhe Leon përqendrohet krejtësisht tek ajo. Njeh takimet e saj, trishtimet e saja, sheh nëpërmjet pareteve uljet e ngritjet e fatit të saj dhe ndërhyn në jetën e saj, ndërkohë që vazhdon të shënojë përgjatë viteve detajet e vogla të jetës së saj të përditshme.
23 Qershor 2010