E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Futbollisti i vogël” fiton festivalin e këngës për fëmijë në Shkodër



Izaura Ndoj

Tedi Paçrami dhe Riad Bashi me këngën “Futbollisti i vogël”, me tekst dhe muzikë të kompozitorit Jetmir Barbullushi, u shpall fituese e Festivalit të 48-të Kombëtar të këngës për fëmijë. Në skenën e teatrit “Migjeni”, pritësja tradicionale e festivaleve për fëmijë, për tre net me radhë interpretuan 34 këngë. Sipas regjisorit Osman Mula, ecuria e festivalit “ka qenë mjaft e mirë, kjo edhe falë punës profesionale që është bërë me fëmijët në fazat përgatitore nga mësuesit e tyre të muzikës”. Krahas interpretuesve që konkurruan për trofeun e festivalit, emocione sollën edhe grupet e ftuara nga Vlora, Kosova dhe Maqedonia, që u pritën me shumë interes nga të pranishmit. Me skenografi të Adnan Kastratit, e cila u konsiderua si një nga më të bukurat e të gjitha festivaleve të mëparshme, spektatorët shijuan interpretimet e veçanta të fëmijëve. Në këtë festival morën pjesë mbi 200 fëmijë dhe 25 interpretues. Në tre netët e këtij festivali që mban edicionin e 48 janë interpretuar dhjetëra këngë ndërsa skena është mbushur edhe me interpretime në kërcim, humor dhe shumë surpriza të tjera. Dhjetëra fëmijë të angazhuar në korin e këtij festivali kanë mbushur sallën e teatrit "Migjeni" me zërin e tyre duke kënduar këngët e reja por edhe ato më të njohura të edicioneve të kaluara..
Për tre net radhazi në Shkodër Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, ka qenë pjesë e emocioneve të botës muzikore të fëmijëve. Ashtu si në të gjitha edicionet e mëparshme, Shkodra vazhdon të mbajë traditën e organizimit të këtij evenimenti kaq të rëndësishëm muzikor, i cili këtë vit ka arritur në edicionin e tij të 48-të. Pas disa fazave përgatitore dhe kualifikuese të pjesëmarrësve të festivalit, organizatorët zhvilluan provën e përgjithshme në skenën e teatrit “Migjeni”, ku drejtori i festivalit, Kujtim Alija, ka theksuar se festivali është gati për start. Gjatë tre netëve të këtij festivali kanë interpretuar 25 këngëtarë të rinj, që i shtohen skenës mbarëshqiptare, të cilët përcollën në festival krijimet e kompozitorëve tanë më të mirë për fëmijë. Natën e parë kanë startuar 17 këngët e para, interpretuesit e të cilëve erdhën nga qytetet kryesore të Shqipërisë, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Fieri, etj, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe këngëtarë nga trevat shqiptare jashtë vendit, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Ndër to, 12 këngë ishin totalisht të reja që u interpretuan për herë të parë, ndërkohë që pesë të tjerat u zgjodhën nga vitet e mëparshme. Po kaq këngë u interpretuan edhe në natën e dytë të festivalit, ndërkohë që në natën e tretë, atë të datës 21 qershor, që ishte edhe nata finale, në skenë u paraqitën në interpretim 22 këngë të përzgjedhura. Edhe në këtë edicion, bazuar në traditën e krijuar vitet e fundit, juria e festivalit i është besuar vetë fëmijëve, votat e të cilëve përcaktuan fituesit e këtij edicioni. Stafi organizator i festivalit përbëhej nga drejtori artistik Roland Guli, redaktor përgjegjës Bardhyl Hysa, regjisor Osman Mula, skenariste dhe drejtuese e festivalit Manjola Lloja. Festivali që daton nga viti 1963 mban emrin dhe firmën e qindra krijuesve të njohur por mban edhe meritën e zbulimit të dhjetëra talenteve të reja të muzikës, që nga Inva Mula, Justina Aliaj e Irma Libohova dhe shumë e shumë emra të tjerë deri edhe tek më të rinjtë, si Dorina Garuci, Kejsi Tola dhe Mariza Ikonomi

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›