E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për trupin nga koka” çel Festivalin Ballkanik për Teatrot



Shfaqja “Për trupin nga koka”, e regjisores Inida Gjata – Zhaku, nga Shqipëria, ka hapur edicionin e parë të Festivalit Ballkanik për Teatro, në teatrin “Dodona” në Prishtinë. Kjo skenë për gjashtë ditë do të jetë nikoqire e këtij festivali. Shfaqja e teatrit fizik, në të cilën kanë interpretuar vetë Zhaku e shoqëruar nga Fatjon Sulstarova, për 40 minuta ka transmetuar diskutimin verbal të kokës, me komunikimin joverbal të trupit. E kombinuar me drita ultravjollcë, shfaqja imagjinare ka transmetuar përshtypjen e ndarjes së trupit nga koka. Për regjisoren dhe aktoren Zhaku, kjo është hera e parë që performon në Kosovë. “Shfaqja shkoi mirë, natyrisht në kufijtë e asaj duke mos bërë prova dhe me një trupë teknike tjetër”, ka thënë Zhaku. “Muzika është një komponentë e rëndësishme e shfaqjes sonë dhe për shkaqe teknike nuk patëm mundësi që ta bënim 100 për qind atë që do të donim, por prapë doli shumë mirë, sepse ne nxjerrim më të mirën tonë në çfarëdo rrethane”, ka shtuar ajo. Për dramaturgun Arian Krasniqi shfaqja ishte jashtëzakonisht provokuese, shumë kreative që ka një ide prej fillimit deri në fund. “Edhe pjesa e monologut që është thënë nga aktorja ka qenë në përputhshmëri me idenë e shfaqjes”, ka thënë Krasniqi. Aktori Armond Morina ka përgëzuar aktorët për lëvizjet e tyre skenike. “I përgëzoj aktorët për punën që e kanë bërë në një shfaqje imagjinatave”, ka thënë Morina. “Si zhanër është i përdorur shumë edhe në skenat e regjionit dhe të Evropës”, ka shtuar ai. Festivali ballkanik për teatro organizohet nga shtëpia filmike “Arena”, ndërsa do të zgjasë deri më 26 qershor. Gjatë ditëve në vazhdim në program janë edhe 5 shfaqje të tjera, nga Serbia, Mali i zi, Maqedonia dhe Kosova. Drejtori i këtij festivali, Sunaj Raça, ka thënë se, “si Kosovë është dashur që t’ia ofrojmë teatrit shqiptar këtë mundësi që ai të hapë festivalin”. Raça ka folur edhe për qëllimin e festivalit që ai ka marrë për sipër ta drejtojë. “Krijimi i bashkëpunimit me teatro të rajonit, gjë që është shumë e nevojshme në këtë kohë”, ka thënë Raça. Për menaxherin e teatrit “Dodona”, Valdet Rama, “kjo do të hapë horizonte të reja të bashkëpunimit i cili mungon”. Mbrëm është dhënë shfaqja nga Serbia, “Primadona”, me tekst të Zhelko Mijanoviqit, regji të Irfan Mensur, nën interpretimin e aktoreve Evgenija Stankoviq dhe Katarina Arsiq.

23 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›