E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentinasit duan goleadë, Shqipëria rrezikon turpin

TIRANE-Serxhio Batista nuk mund të gjente një kundërshtar më të mirë për të bërë përzgjedhjen e skuadrës për Kupën e Amerikës së Jugut, që do të nisë më 1 korrik. Trajneri i Argjentinës ka për të seleksionuar edhe disa futbollistë të tjerë, përpara këtij kompeticioni, teksa miqësorja e së hënës me Shqipërinë do të shërbejë pikërisht për këtë gjë. Batista ka bërë të ditur se do të hedhë në fushë të gjithë lojtarët që ka, ndërsa edhe Esteban Kambiaso është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm. Por, reparti që tremb më shumë trajnerin shqiptar Josip Kuzhe, është sulmi i skuadrës vendase. Pritet që Argjentina të ketë në fushë nga minuta e parë Angel Di Marian, Lionel Mesin dhe Karlos Tevez, ndërkohë që edhe Ezekiel Laveci kërkon ta nisë nga fillimi për t'i treguar Batistës se e meriton një vend në skuadër. Në qendrën stërvitore të Ezeizas, problemet e vetme kanë qenë me portierin Karrizo dhe mbrojtësit Lusiano Monzon e Diego Valeri. Argjentinasit ndërkohë kërkojnë goleadë në këtë takim, që përkon me festimet për Ditën e Flamurit. Por, një tjetër arsye është se ata kërkojnë t'i mbushin mendjen trajnerit të tyre.

Në krahun tjetër, Shqipëria ka udhëtuar më e dobët se kurrë në Buenos Aires. Trajneri Josip Kuzhe ka dilema të mëdha përpara kësaj sfide, se si ta rregullojë një skuadër që nuk ka luajtur asnjëherë bashkë. Kroati i ka futbollistët të paktë në numër për të pretenduar ndonjë gjë të jashtëzakonshme në "Monumental". "Jam i sigurt se do të fitojmë diçka nga kjo ndeshje, ndonëse jo në rezultat", u shpreh me sinqeritet trajneri Kuzhe, përpara nisjes. Në fakt, rreziku më i madh për kuqezinjtë është që të pësojnë një goleadë në stadiumin e Buenos Airesit. Ekipi shqiptar ka mbërritur vetëm dje në Argjentinë, pas një udhëtimi rraskapitës, ndërsa do të ketë në dispozicion vetëm dy ditë për të përgatitur ndeshjen. E ndërkohë, pavarësisht se është një miqësore, në stadium pritet të jetë një numër i madh tifozësh, që kërkojnë të përkrahin ekipin e tyre 10 ditë para nisjes së Coppa America, që do të zhvillohet pikërisht në Argjentinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›