Argjentinë-Nigeri, finalja olimpike e Pekinit
Futboll-Meshkuj
Gjysmëfinale (dje)
Nigeri - Belgjikë4-1
Brazil - Argjentinë3-0
Vendet 3-4
Belgjikë - Brazil
Finale
Nigeri - Argjentinë
Argjentina dhe Nigeria janë dy skuadrat që më 23 gusht do të luajnë përballë njëra-tjetrës, në finalen olimpike të futbollit për meshkuj. Skuadra amerikano-jugore fitoi dje 3-0 me Brazilin, në ndeshjen e shumëpritur të kësaj Olimpiade, pasi në përbërje të këtyre skuadrave janë mjaft yje të futbollit botëror. Mesi fitoi duelin me Ronaldinjon, duke treguar një formë të mirë dhe duke argëtuar Maradonën, që dje ndodhej në stadium. Në fund të 90 minutave në finale doli Argjentina, që në pjesën e dytë hodhi "në tapet" Brazilin, falë dy golave të Serxhio Ramos (minutat 52 dhe 58) dhe penalltisë së Rikelmes (minuta e 75). Ronaldinjo dhe Pato, megjithëse u përpoqën të shënonin, nuk arritën që të përmbysnin avantazhin e krijuar nga argjentinasit, që u treguan më konkretë dhe të saktë në aksionet sulmuese. Kështu, skuadra e Argjentinës do të kërkojë të mbrojë të artën e fituar 4 vjet më parë në Athinë. Përballë saj, në finale është Nigeria, një skuadër jo shumë surprizë, pasi në vitin 1996 ka fituar medaljen e artë në Atlanta. Skuadra afrikane fitoi dje 4-1 me Belgjikën në gjysmëfinale, falë një loje shumë më të mirë, duke treguar superioritet në fushë. Epërsia e Nigerisë erdhi që në minutën e 17-të, falë golit të Adafemi, që u pasua nga tre gola në tjerë në pjesën e dytë: Obasi në minutat 59 dhe 72, dhe Okonko në minutën e 78-të. Vetëm për statistika vlen goli i belgut Ciman, 2 minuta para përfundimit të ndeshjes. Kështu, Argjentina dhe Nigeria do të luajnë për medaljen e artë, ndërsa Brazili dhe Belgjika do të zhvillojnë finalen e "vogël", për medaljen e bronzit.