Shqipëri-Greqi, rikthehet derbi "i nxehtë"
Ekipi ynë kombëtar Shpresa, që drejtohet nga Artan Bushati, ka një "provë zjarri" sot në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit. Kuqezinjtë e kësaj moshe do të sfidojnë kolegët e tyre grekë, në përpjekje për të marrë një fitore me mjaft vlera për renditjen e tyre në grupin kualifikues, por edhe për prestigj, në një kohë kur dihen çfarë ngarkesash kanë ndeshjet mes përfaqësueseve të dy vendeve tona fqinje. Shpresa jonë gjendet e grumbulluar prej disa ditësh, me qëllim që t'ia bëjë sa më mirë hyzmetin suksesit të mundshëm me grekët. Para ndeshjes së sotme, që do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh izraelitë, me kryesor Asaf Kenan dhe dy asistentët e tij, Erza Bason e Nimer Abu Zaid, trajneri Bushati i ka testuar të tijtë në një miqësore me Elbasanin. Duhet thënë që formacioni që ka luajtur kundër Elbasanit nuk do të jetë ai me të cilën Shqipëria do të përballet kundër Greqisë. Një gjë të tillë e ka pohuar trajneri Artan Bushati, i cili pret rikthimet e Gilman Likës dhe të Xhevahir Sukajt, që luajtën në Superkupë kundër Dinamos. Sipas trajnerit Bushati, do të shihet me kujdes edhe kondicioni i tyre, pasi bëhet fjalë për lojtarë shumë të rëndësishëm për Shpresën, por kohët e fundit lojtarët në fjalë janë sforcuar, duke luajtur dy ndeshje shumë impenjative, kundër Napolit dhe Dinamos. Megjithatë, nuk janë Lika dhe Sukaj lojtarët që shqetësojnë më shumë trajnerin Bushati, por gjendja jo e mirë shëndetësore që kanë kaluar së fundmi Çaushaj dhe Fagu. Të dy lojtarët nuk kanë luajtur në miqësoren kundër Elbasanit. Trajneri Artan Bushati u shpreh shkurt në lidhje me formacionin para ndeshjes me Greqinë: "Mund të them pikësëpari që jam i kënaqur me provën e lojtarëve që luajtën kundër Elbasanit. Nuk kishte rëndësi rezultati, por forma e lojtarëve që luajtën. Kemi shumë alternativa, por sigurisht që nuk do të jetë anti-Elbasani të mërkurën kundër Greqisë, pasi janë bashkuar tashmë Sukaj dhe Lika. Shqetësimi i vetëm ka të bëjë vetëm me Çaushajn dhe Fagun, që kanë kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore. Kundër Greqisë do të bëjmë më të mirën tonë për të arritur një rezultat pozitiv," - përfundon trajneri i U-21, Artan Bushati.