Hani, pesimist: E kemi nisur keq!
Ari Han nuk e kishte menduar se në gjashtë muaj ekipi i drejtuar prej tij do të luante vetëm një miqësore, ndërsa së fundmi të kryente vetëm një stërvitje me kuqezinjtë para testit me Lihtenshteinin, që luhet sot, në 20:45, në "Qemal Stafa". Në konferencën e djeshme për shtyp, holandezi ka folur haptazi, duke theksuar mbi të gjitha që është humbur shumë kohë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet eliminatore. Hani sqaroi edhe çështjen e lojtarëve që ka lënë jashtë, ndërkohë që pak foli për miqësoren me Lihtenshteinin, një kundërshtar që nuk e kishte në evidencë, sepse kërkonte ekip të stilit të Suedisë.Para se t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, fillimisht Ari Han u shpreh: "Për mua është fatkeqësi që po e nis kështu, duke pasur parasysh që në gjashtë muaj kemi zhvilluar vetëm një ndeshje miqësore. Kaq është shumë pak. Nëse Shqipëria nuk do të përjashtohej nga aktivitetet ndërkombëtare, do të luanim edhe dy ndeshje të tjera. Më vjen keq, sepse në këtë aspekt planifikimi ynë nuk u realizua. Nëse do të arrihej kjo gjë, tani do të flisnim ndryshe për ekipin. Në këtë periudhë vetëm kemi improvizuar. Gjërat për mua nuk kanë qenë të thjeshta, sepse kohën e kam pasur kundër. Duhet të shikoja më shumë. Madje edhe në këtë grumbullim kisha planifikuar tri seanca stërvitore, por bëmë vetëm një."
"Doja një ekip nordik, jo Lihtenshteinin"
Preferencat e Ari Hanit për miqësoren e 20 gushtit nuk ishin skuadra të nivelit të Lihtenshteinit, por në këtë pikë FSHF-ja hasi vështirësi, duke qenë se ekipet shikonin interesin e tyre, duke mos pranuar të luajnë në Shqipëri. "Mund të them se Lihtenshteini nuk ishte skuadra që unë dëshiroja për një miqësore. Nuk kam njohuri fare për këtë ekip. Kam kërkuar një kundërshtar, i cili t'i përshtatej stilit të lojës së Suedisë, duke qenë se me këtë të fundit do të luajmë edhe takimin e parë eliminator. Doja ekipe si Norvegjia, Islanda apo Finlanda. Nëse luanim me një prej këtyre, unë do të kisha parë më shumë. Megjithatë, kështu siç erdhën gjërat, nuk kemi çfarë të bëjmë,"- pohon trajneri kuqezi.
"Lojë sulmuese, por duhet të jemi më fleksibël"
Për sa i përket lojës që do të zhvillojnë kuqezinjtë në miqësoren e sotme ndaj Lihtenshteinit, trajneri i kombëtares konfirmoi se ajo do të jetë krejtësisht sulmuese. Hani sqaroi edhe pozicionin e disa lojtarëvë në fushë. "Me Lihtenshteinin mund të provojë dy-tri variante taktike. Do të bëjmë një lojë krejtësisht sulmuese, duke e bazuar atë te krahët. Ndonjë prej lojtarëve që ka luajtur mirë me Poloninë mund të jetë edhe në stol. Formacionin nuk ua kam bërë të ditur as lojtarëve, por dua të theksoj se Skela me Lalën do të luajnë nga 45 minuta, pasi të premten kanë ndeshje kundër njëri-tjetrit në Bundesligë. Për sa i përket repartit të mbrojtjes, mendoj se Dallku mund ta bëjë shumë mirë rolin e qendërmbrojtësit, ndërsa nesër (sot) do të luajë si mesfushor i djathtë. Kam folur edhe me Currin dhe më ka thënë që nuk e ka problem aktivizimin si mbrojtës i majtë. Në përgjithësi, jam i kënaqur me këtë repart, kështu që momentalisht nuk kam menduar të gjej një qendërmbrojtës,"- thotë holandezi. Ai tregon edhe se çfarë u ka kërkuar lojtarëve për këtë miqësore, e cila është prova e fundit para ndeshjes eliminatore me Suedinë. "Për ndeshjen me Lihtenshteinin lojtarëve u kam kërkuar fleksibilitet. Në radhë të parë, është shumë e rëndësishme lëvizja e tyre në fushë, por ata duhet të jenë më fleksibël. Nuk do të luajmë me skemën 4-4-2, pasi ajo është mbrojtëse. Kam menduar 4-3-2-1, me tre mesfushorë. Nëse luajmë me katër, atëherë do të jetë Duro, ndërsa me tre dhe dy lojtarë që mbështesin sulmuesin, do të aktivizohen fantazistë."
"Bogdani? Zgjodha sulmuesit më në formë"
Lënia jashtë kombëtares e sulmuesit kryesor Erion Bogdani, natyrisht që bëri shumë çudi, por për trajnerin Ari Han kjo nuk duhet të quhet fundi i botës. Sipas tij, arsyeja pse Bogdani është jashtë, ka të bëjë me formën e mirë të dy sulmuesve të tjerë, Salihi dhe Kapllani. Megjithatë, holandezi duke sqaruar çështjen e lojtarit të vetëm shqiptar që aktivizohet në Serinë A, bëri të ditur se do të ftojë ata që janë në gjendje më të mirë, duke mos u nisur fare nga emri apo skuadra ku luajnë. "Dua të bëj të ditur se kur kam tri opsione për sulmin, do të ftoj gjithmonë dy lojtarë. Unë i njoh mirë aftësitë e Erion Bogdanit, por kampionati italian ende nuk ka nisur, kështu që dy sulmuesit e tjerë, Salihi dhe Kapllani, janë më përpara me përgatitjet. Ndoshta herën tjetër mund të mos thërras Kapllanin, por kur grumbulloj 18 lojtarë, ideja ime është që të ftoj vetëm dy sulmues. Këtë herë mendova të lë jashtë Bogdanin, nisur edhe nga fakti që Kapllani me Salihin kanë shënuar me klubet e tyre. Kjo nuk do të thotë që ata do të jenë gjithnjë pjesë e kombëtares. Mënyra ime e punës është që të përzgjedh lojtarët nëpërmjet rendimentit të tyre. Çdo gjë do të varet nga forma që kanë. Megjithatë, në parim unë i bëj planet me Bogdanin,"- u shpreh trajneri i kombëtares, Ari Han. Ndërkohë, i pyetur në fund për sulmuesin Besart Berisha, ai shtoi se edhe këtë lojtar do ta ketë në planet e tij.