E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen lopët me plasje, rrezik për 32 banorë

Pogradec, banorët kanë konsumuar mishin e njërës prej lopëve të infektuara. Nis mjekimi për dy kasapët

POGRADEC- Therja e dy lopëve të infektuara me sëmundjen e plasjes (e njohur në gjuhën mjekësore si antraks) ka alarmuar një fshat në zonën e Pogradecit. Banorët e fshatit Buzaishtë kanë rendur të bëjnë analizat pasi 32 prej tyre mendohet se kanë konsumuar mishin e njërës prej lopëve të infektuara. Ky fakt është konfirmuar edhe nga veterineri i fshatit, Petrit Hyka, i cili ka dhënë alarmin pasi dy kasapët që kishin therur lopën e dytë ishin sëmurë dhe iu dolën pulla me kore në trup.

Mjekët e Pogradecit shpjeguan dje se kasapët Ferit Krasaliu dhe Teki Çela u shtruan urgjentisht në spitalin e qytetit të dyshuar si të infektuar nga plasja. Ndërkohë që janë çuar analizat e lopës së dytë që u sëmurën dy kasapët në laboratorin e prefekturës së Korçës dhe analizat treguan se lopa ishte e sëmurë me plasje. Kjo ka sjellë një gjendje alarmi në të gjithë zonën. Përgjegjësi i shërbimit epidemiologjik të rrethit, Selami Jahupi, i ka nisur të gjithë specialistët e kësaj qendre me urgjencë në Mokër në fshatin Buzaishtë. Ekspertët kanë bërë analizat e 32 personave që mendohet se kishin konsumuar lopën e parë. Madje disa prej tyre janë nën mjekim intensiv me antibiotikë. Gjatë kësaj kohe atyre janë duke iu bërë analizat. Specialisti i kësaj qendre, Zini Guxholli, tha për “Shekullin” se lopa e dytë nuk arriti që të konsumohej. Kjo pasi analizat treguan qartë sëmundjen e plasjes dhe mishi i saj është djegur në një gropë të thellë dy metra në një zonë të izoluar në pyll. Specialistët pohuan se më pas, në gropën ku është djegur lopa, është hedhur gëlqere dhe gropa është mbyllur. “Nga ana jonë u bë edhe dezinfektimi i zonës dhe i vendit të përpunimit të mishit. Analiza janë bërë edhe në thertore. Kjo pasi kemi të bëjmë me një mikrob të rrezikshëm dhe vdekjeprurës që shpërndahet nëpërmjet sporeve. Ky virus mund të jetojë deri në 72 vjet dhe përhapet nga era”, tha specialisti Zini Guxholli. Sipas tij, fatmirësisht, dy kasapëve i ka kapur në lëkurë se nëse do të vepronte në mushkëri apo nëpërmjet gjakut, ky virus është vdekjeprurës. Drejtuesit e qendrës së epidemiologjisë në Pogradec kanë pohuar dje se gjendja është nën kontroll të plotë dhe asnjë njeri nuk rrezikohet nga sëmundja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›