Godo: Prioritet specializimi i mjekëve
Bashkëpunimi për përmirësimin e standardeve, trajnimin e mjekëve tanë në Britani, si pika kyçe për rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor. Ky ka qenë thelbi i bisedës në takimin e djeshëm mes Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo me F. A. Willson, Ambasador i Britanisë së Madhe në vendin tonë. Ministrja Godo, duke vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, tregoi gatishmërinë maksimale për bashkëpunim me Britaninë e Madhe në realizimin e reformave në shëndetësi, bashkëpunim ky që pritet të përmirësojë dhe të modernizojë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu ministrja Godo, propozoi bashkëpunim për përmirësimin e standardeve, trajnimin e mjekëve tanë në Britani, si pika kyçe për rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor. Willson, përgëzoi ministren për detyrën në krye të këtij institucioni, duke ofruar mbështetje maksimale për realizimin e reformave të ndërmarra për rritjen e cilësisë së shërbimit për pacientët shqiptarë. Ky bashkëpunim konsiston sidomos në trajnimin e stafit mjekësor. Ministrja Godo, falënderoi në emër të MSH - së ambasadorin e Britanisë së Madhe për bashkëpunimin dhe ndihmën, duke theksuar historinë e gjatë të këtij bashkëpunimi mes dy vendeve mike në fushën e shëndetësisë. Ambasadori, shprehu mbështetjen e tij dhe besimin se kërkesa për bashkëpunim mes dy vendeve do të ketë një reagim pozitiv edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Britani.