E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobët edhe Sahit Prizreni, shuhet shpresa kuqezi

Sportisti i mundjes së lirë nuk ka zbritur në tapet si mundësi i renditur i 3-ti në botë

"Kam kaq kohë që e ndjek Sahit Prizrenin në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, por asnjëherë nuk e kam parë aq të plogësht në tapet,"- shprehet shefi i misionit të ekipit tonë olimpik, Fidel Ylli. E pikërisht dje Sahit Prizreni, që duhej të ishte në formën e tij më të mirë, nuk ka treguar asgjë nga sportisti që u rendit i treti në botë në Kampionatin Botëror të Azerbajxhanit. Vetë shefi i misionit e shpjegon këtë plogështi të sportistit të fundit në konkurrim me dëmtimin e tij në gju, që e la për një kohë të gjatë jashtë tapetit. "Sahiti nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të kapur kundërshtarin. Unë si ish-mundës e kuptoj që një gjendje e tillë krijohet atëherë kur si sportist ke një kohë të gjatë që nuk e ndien aromën e tapetit dhe të kundërshtarit. E kjo ndodhi dje me Sahit Prizrenin, i cili u shfaq krejt i plogësht dhe i parrezikshëm për kundërshtarin e tij,"- shprehet Ylli. Sahit Prizreni kaloi turin e parë eliminator pa u ndeshur dhe në turin e vlefshëm për 1/8 shorti e vuri përballë përfaqësuesit të Kirgiztanit, Bazar Bazargurujev. Ky i fundit është shpallur fitues i medaljes së artë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Azerbajxhan vitin e kaluar, ashtu si dhe sportisti ynë Sahit Prizreni. Por ndryshe nga Prizreni, kirgizi Bazargurujev, të paktën në takimin me Prizrenin, tregoi vlerat e një sportisti të nivelit botëror, ndërkohë që për sportistin tonë ai dëmtim i shkaktuar në gju i ka kushtuar shumë shtrenjtë.

Bazar Bazargurujev mban gjithashtu edhe titullin kampion të kësaj peshe për Azinë. Vetë sportisti shqiptar nuk ishte përballur asnjëherë me Bazargurujevin në asnjë përfaqësim ndërkombëtar dhe ajo e djeshmja ishte përballja e tyre e parë. Në kampionatin botëror shorti nuk i përballi mes tyre, por i ngjiti në të njëjtin pod, atë të fituesit të medaljes së bronztë. Kështu, Shqipëria e mbyll përfaqësimin e saj në Lojërat e 29-ta Olimpike që vazhdojnë të zhvillohen në Pekin me rezultate modeste. Në mundje Shqipëria u paraqit mirë edhe me Elis Gurin, i cili arriti të eliminojë në turin e dytë egjiptianin Kamar Gabar (kampion olimpik në "Athinë 2004"), por në çerekfinale u mposht me short (monedhë) nga gjermani Mirko English. Deri tani sukseset tona janë një vend i gjashtë i peshëngritëses Romela Begaj mes 12 konkurrenteve të peshës 58 kg, një vend i tetë në mundjen greko romake të Elis Gurit në peshën 96 kg dhe vendi i 13 të i peshëngritësit Erkand Qerimaj mes 40 konkurrentëve të peshës 77 kg. Ndërkohë, sportistët e tjerë nuk kanë mundur dot të shkojnë tek objektivi i tyre. Një analizë e hollësishme e përfaqësimit të 11 sportistëve tanë në Lojërat Olimpike do të bëhet jo vetëm nga 6 federatat që u përfaqësuan në këto lojëra, por edhe nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Në historinë e përfaqësimeve tona në Lojërat Olimpike suksesi më i madh edhe për 4 vitet e ardhshme mbetet vendi i pestë, i arritur nga peshëngritësi Ilirjan Suli në Lojërat Olimpike "Sidnei 2000".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›