E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentine vritet nje tifoz futbolli

Zakonisht, tifozët përleshen me tifozë të skuadrave kundërshtare, por ndodh që të ketë edhe “luftëra civile”. Një e tillë ka ndodhur në Buenos Aires të Argjentinës, ku një njeri humbi jetën ndërsa dy grupime mbështetësisht të së njëjtës skuadër, u ndeshën mes tyre.
I vrari është identifikuar si Agustin Aleho Rodrigez dhe është 27 vjeç. Dy grupimet i përkasin skuadrës Nueva Çikago dhe quhen Las Antenas dhe Los Perales. Gjithçka nisi kur një grupim shkoi të ndeshej për të marrë hak ndaj një tifozi të quajtur Aldo Barralda, që sipas tyre kishte qenë shkaktar për këtë acarim.
Ndërsa Rodrigez humbi jetën, Barralda mori plagë të ndryshme dhe po trajtohet në spital në Buenos Aires.
Presidenti i shoqatës së mjekëve të spitalit Santohani, Marselo Struminger, u shpreh se “Mesa duket ai vrau një person dhe mbeti edhe vetë i plagosur në përleshje, atë e solli këtu një grup njerëzish që u soll dhunshëm duke thyer dyert në dhomën e urgjencës”.
Klubi i Nueva Çikagos ka pezulluar çdo veprimtari, ndërsa ka nisur edhe një hetim për ngjarjen, por kjo tragjedi nuk është e para që ndodh në futbollin argjentinas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›