E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA refuzon ligën e përbashkët

FIFA përfundimisht i ka shuar shpresat e shqiptarëve për formimin e një lige të përbashkët, në të cilën do të garonin klube nga Shqipëria dhe Kosova.

Shtëpia e futbollit botëror të enjten ia ka bërë me dije Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) se në kësi lloj aspektesh nuk guxon të ‘përziej’ asgjë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën ajo ende nuk e njeh si anëtare të vetën.

Në fakt, ideja për formimin e një lige unike shqiptare është përfolur në opinionin shqiptar që nga periudha e pasluftës në Kosovë. Së fundmi Aleanca KuqeZi kishte kërkuar bashkimin e futbollit shqiptar.

Njëkohësisht edhe FC Prishtina zyrtarisht kishte kërkuar nga FSHF-ja të lejohet për të garuar në Superligën e Shqipërisë, qysh prej edicionit të ardhshëm. Ideja e formimit të një lige të përbashkët ishte pëlqyer nga FSHF-ja e FFK-ja.

Por, kreu i FSHF-së, Armand Duka paraprakisht kishte kërkuar një rekomandim nga UEFA e FIFA. Kjo e fundit, nëpërmjet një shkrese, të enjten e ka rikujtuar FSHF-në se kjo nismë e shqiptarëve bie ndesh me statusin e saj.

Pra, nëpërmjet një shkrese, FIFA ia ka rikujtuar FSHF-së pikën 79-të të statusit të saj, i cili saktëson se anëtarët e FIFA-s nuk duhet të zhvillojnë ndeshje apo të kenë kontakte tjera sportive me lojtarë apo klube të një vendi që nuk është anëtar i saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›