E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjinatura e dëmtuar,në rrezik shtëpitë



BULQIZE - Dëmtimi i argjinaturës së lumit Drin ka vënë në rrezik më shumë se 20 shtëpi banimi në fshatin Gjoricë e Poshtme, në rrethin e Bulqizës. Burime informacioni pranë shtabit të emergjencave civile në këtë komunë thanë se prurjet e lumit janë shtuar ndjeshëm për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe shkrirjes së borës. Banorët e këtij fshati tregojnë se ata janë përfshirë nga paniku dhe janë të detyruar të bëjnë roje me turne, për të shpëtuar jetët e njerëzve. Dy vite më parë nisi ndërtimi i argjinaturës së Drinit, në një nga segmentet më problematike të tij, por kjo ndërhyrje nuk ishte e plotë, pasi në një gjatësi prej 150 metrash argjinatura u la pa përfunduar. Aty ku argjinatura mbeti pa përfunduar, lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur një pjesë të tokave të fshatit dhe disa shtëpive. Banorët thonë se kur prurjet e lumit arrijnë kulmin uji ngjitet mbi argjinaturë në shumë se 20 centimetra. Nga ana e banorëve është kërkuar marrjen e masave urgjente, ndryshe situata do të vijë duke u përkeqësuar dhe dëmet do të jenë serioze. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›