E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi: Nëse Greqia ka nevojë për ndihmë, ne do të jemi aty!



Presidenti francez, Nikolas Sarkozi premtoi të dielën, se vendet e eurozonës do ta ndihmonin Greqinë, nëse problemet e saj financiare do të përkeqësoheshin dhe u angazhua për të goditur spekulatorët që grekët fajësojnë për gjendjen e tyre. “Nëse Greqia ka nevojë për ndihmë, ne do të jemi atje”, tha Sarkozi në një konferencë për shtyp me Kryeministrin grek, Papandreu. “Aktorët kryesorë të skenës evropiane janë të vendosur të bëjnë çfarëdolloj veprimi që nevojitet për të siguruar se Greqia nuk është e izoluar”, shtoi ai. Presidenti francez tha se ai ka biseduar me kancelaren gjermane, Anxhela Merkel para takimit dhe shtoi se Franca, Gjermania dhe Greqia ishin gati të ndërmerrnin veprime të ashpra kundër spekulatorëve të tregut, për të ndihmuar instrumentet financiare greke. Presidenti francez, Sarkozi siguroi se Evropa do të solidarizohet me Greqinë dhe do të punojë së bashku me partnerët e saj për t’i luftuar spekulimet kundër euros. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka shprehur vlerësimin e tij për mbështetjen e Francës, ndërsa Qeveria e tij nis udhën e masave të ashpra për shkurtimin e deficitit të madh buxhetor. Megjithatë Papandreu tha se ai nuk e përjashton drejtimin tek Fondi Monetar Ndërkombëtar nëse nuk gjendet zgjidhja brenda Evropës. Sarkozi nuk ka përmendur ndonjë masë konkrete që mund të ndihmonte Greqinë. Presidenti Sarkozi dhe kancelaria gjermane, Anxhela Merkel po përpiqen të qetësojnë tregjet dhe të ulin koston e lartë të borxhit për Greqinë. Një ditë më parë, Presidenti francez, Sarkozi tha se Parisi ishte i gatshëm për ta ndihmuar Athinën në qoftë se gjendja e saj financiare përkeqësohet më tej. “Në qoftë se kemi krijuar euron, ne nuk mund të lemë të rrëzohet një vend që është në zonën e euros. Përndryshe, nuk kishte asnjë kuptim krijimi i euros”, tha Sarkozi në një takim me fermerët. “Euro nuk ka kuptim nëse nuk ka solidaritet”, përforcoi ai. Kryeministri grek Jorgo Papandreu shkoi në Paris dje. Kjo ishte ndalesa e tretë e tij në turneun e katër qyteteve ku kërkon mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për masat e ashpra të kursimit që kanë provokuar protesta të dhunshme në vend. Sipas analistëve, Athina është shembulli se ka bërë gjithçka që mund të bëhet për të ulur deficitin buxhetor, aktualisht 12.7 për qind. Tani ajo po kërkon veprime konkrete kundrejt partnerëve evropianë për të qetësuar tregjet dhe për të ulur koston e lartë të borxheve të vendit në tregje, të cilat janë pothuajse sa dyfishi i Gjermanisë. Papandreu, i cili ka vizituar Luksemburgun dhe Berlinin të premten, ka gjetur një “vesh” më simpatik të dielën gjatë takimit të tij me Sarkozinë. Më pas ai do të shkojë në Uashington për t’u takuar të martën me Presidentin Barak Obama. Papandreu, lider i Partisë Socialiste greke, PASOK, erdhi në pushtet në tetor dhe shokoi Evropën, pas rishikimit të menjëhershëm të deficitit buxhetor, në 12.7 për qind të GDP-së për vitin 2009, nga 4 për qind më pak që ishte në fillim të atij viti. “Situata që ne trashëguam ishte më e keqe se makthi më i keq”, tha Papandreu në një deklaratë.

Grekët e mbështesin Papandreun
Pjesa më e madhe e grekëve e mbështesin Kryeministrin Jorgo Papandreu edhe pasi ai ka publikuar planin me shkurtimet e buxhetit prej 4.8 miliardë euro, sipas një sondazhi. Në total 51.9 për qind e mbështesin Papandreun, krahasuar me 47.5 për qind të cilët nuk e përkrahin më, thuhet në një sondazh të kryer nga “Kapa Research”, të publikuar në gazetën “To Vima”. Sondazhi tregoi se 47.9 për qind e të pyeturve në përgjithësi nuk bien dakord më planin e ashpër, ndërsa 46.6 për qind e aprovojnë atë. Masat e ashpra përfshijnë shkurtime në shpërblimet e pushimeve për sektorin publik dhe rritjen e taksave. Në total 86.9 për qind thanë se masat do të provokojnë trazira sociale. Të pyetur nëse ata do të votonin që të dilnin nga zona euro dhe t’i riktheheshin përdorimit të dhrahmisë, 63 për qind u përgjigjën jo. Sondazhi u krye një ditë pasi Qeveria paraqiti masat e ashpra të shkurtimit të deficitit të buxhetit. Rezultatet mund të gabojnë me 3 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›