Trafikanti arratiset nga dritarja, pezullohen 3 oficerët që e ruanin
TIRANE – Tre efektiva të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u pezulluan nga detyra dhe u dërguan për ndjekje penale në Prokurori nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas arratisjes së një personi që mbahej në arrest shtëpie dhe ruhej nga forcat e policisë në kryeqytet. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, thanë se tre oficerët janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve, menjëherë sapo është konstatuar largimi nga banesa i shtetasit Agim Xhambazit, i akuzuar për trafik fëmijësh. Emrat e 3 punonjësve të FNSH-së, të cilët tashmë janë në hetim, nuk bëhen të ditur, por mësohet se në kohën kur Xhambazi është larguar nga banesa, ku mbahej në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit, oficerët kanë qenë në shërbim, në turnin e dytë. Arratisja e të dënuarit me 15 vjet burg nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, është konstatuar nga tre oficerë të tjerë të FNSH-së, të turnit të tretë, të cilët në kohën kur merrnin detyrën, kanë kontrolluar banesën e shtëpinë e të dënuarit dhe kanë konstatuar se ai ishte larguar. Menjëherë pas lajmërimit për ngjarjen, SHKB nisi hetimet në ngarkim të tre punonjësve të Repartit të Forcave Speciale, që ishin caktuar për ruajtjen e tij. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës kur Agim Xhambazi ka dalë nga dritarja e pjesës së pasme të shtëpisë së tij, e cila nuk ruhej nga punonjësit e policisë. Menjëherë i arratisuri është shpallur në kërkim, ndërsa oficerët e FNSH-së janë pezulluar nga detyra, me një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Agim Xhambazi është arrestuar në Greqi më 10 prill të vitit 2008, pas denoncimit që kishte bërë bashkëshortja e tij, sipas të cilës ai e kishte shfrytëzuar për të lypur bashkë me fëmijët. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për të masën e sigurisë “arrest me burg” dhe ai u shpall në kërkim nga drejtësia shqiptare deri sa u ekstradua. Më pas Xhambazi u dënua me 15 vjet burg nga Krimet e Rënda, por apeloi vendimin dhe aktualisht qëndronte në “arrest shtëpie”, në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. e.d