Kiço Londo sjell një “playboy” në Metropol
alma mile
Kur ajo u vu në skenë në fillim të shekullit XX, reagimet e publikut ishin të ashpra, madje në New York-un e vitit 1911, ajo u quajt e pamoralshme. Publiku nuk i kurseu fishkëllimat, perimet e kalbura, madje plasi edhe përleshja, çka në fund, çoi në arrestimin e kompanisë që guxoi ta vinte atë në skenë. Megjithatë, qysh aso kohe, vepra e John Millington Synge është bërë film për ekranin e kinemave, më tej televiziv, por edhe adaptim në opera. Shumë regjisorë e kanë rimarrë dhe e kanë vënë në skenë, duke përshtatur kontekstin e saj. Dhe kudo ka bërë zhurmë, madje edhe në vitet 2000. Tanimë ajo ka ardhur edhe në Tiranë. Ashtu si edhe shumë herë të tjera, kur ka vënë në skenë pjesë, që kanë ngjallur debat, edhe këtë radhë, regjisori Kiço Londo guxon të shfaqë në Teatrin e “Metropolit”, komedinë irlandeze “Playboy i trojeve tona”. Pjesa është përkthyer nga Sesilia Plasari, e cila prej disa muajsh ndodhet në Tiranë, për disa bashkëpunime me Akademinë e Arteve dhe Teatrin e “Metropolit”. Ajo gjithashtu do të jetë pjesë e kastit të aktorëve të përzgjedhur nga Londo, me rolin e vejushës Kuin. Ky rol shënon rikthimin e Plasarit në skenën shqiptare, pas një periudhe shumë vjeçare largimi në Francë, ku përveçse ka thelluar studimet e saj, ka interpretuar në kompani të njohura franceze, mes të cilave dhe ajo e Jean Paul Belmondo. Së bashku me të do të luajnë edhe 10 aktorë të tjerë, mes të cilëve Lulzim Zeqja, në rolin kryesor, atë të Christy Mahon, apo “Playboyt”, Marsela Lena, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Adriana Tolka, Aida Bajraktari, etj. Ndërsa skenografia e kostumet do të vijnë të realizuara nga Berinda Kokona. Tanimë, angazhimi i aktorëve të rij, është kthyer në një nga tiparet e teatrit të “Metropolit”, i cili u ofron një mundësi më shumë për këta artistë. Duke qenë pedagog në Akademinë e Arteve, Londo e ka pasur disi më të thjeshtë për të evidentuar talentet e reja, qysh në bankat e shkollës. Sa i përket veprës, së zgjedhur, ka qenë tematika e fortë sociale, që ka tërhequr regjisorin Londo. Arratisja nga një atmosferë mbytëse, dëshira për të qenë dikush tjetër, të qënurit në qendër të vëmendjes, apo lehtësia me të cilën dikush mund të kthehet në “hero”, pavarësisht se vepra që ai ka kryer është e dënueshme. Personazhi, rreth të cilit vërtitet ngjarja pretendon se ka vrarë të atin dhe është pikërisht ky akt që e bën atë të respektueshëm në sytë e fshatarëve të humbur. Kur përpara një gote me birrë të zezë ai rrëfen me pikëllim të rremë, ngjarjen, pavarësisht se çka e pret është litari, fshatarët e quajnë madje “trim”, edhe pse arsyeja e vrasjes nuk është edhe aq bindëse. Vrau babanë sepse ishte bërë i grindur kohët e fundit. Megjithatë në një vend, ku nuk ndodh asgjë, kjo është një ngjarje e madhe. Por figura e djaloshit nënvleftësohet, kur në skenë hyn i ati, i cili del se nuk na paska vdekur. Kjo atmosferë ngrohet nga prania e dy “damave”, Pegeen, vajza e të zotit të pijetores dhe vejusha Quin, një grua tek të 30-at. Komedia, sipas konceptit regjisorial të Londos, do të vijë e gjitha nën një veshje simbolike, ku përfshihen si dekori, kostumet, apo muzika, e cila do të ekzekutohet live në skenë. Do të jetë muzika dhe këngët karakteristike irlandeze, që do t’i japin ngjyra më interesante veprës.
Komedia irlandeze “Playboy i trojeve tona” do të shfaqet fillimisht për mediat, ditën e enjte, më 11 mars, ora 21.00, në sallën e re “Bodrum” të këtij teatri. Për të vazhduar më tej në datat 12, 13 dhe 14 mars për miqtë e Metropolit dhe publikun e kryeqytetit. është parashikuar që kjo vepër të shfaqet 25 herë në skenën e Teatrit të “Metropolit”.